Kryetari i Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Ardian Dvorani ka komentuar akuzat e presidentit të vendit, Ilir Meta, i cili më herët në një konferencë e akuzoi Dvoranin se ka shkelur Kushtetutën, si edhe e quajti “mafioz”. Në një reagim në rrjetet sociale, Dvorani thotë se për akuzat është njohur nga mediat, si dhe thotë se presidenti ka ushtruar të drejtën e tij që ia jep Kushtetuta. Me ironi ndër rreshta, kreu i KED-it, thotë se “më në fund”, Meta po ushtron të drejtën e tij, e për veten siguron se do t’i nënshtrohet Kushtetutës dhe ligjeve të vendit. Për këtë, thotë Dvorani, nuk do t’i shmanget ligjit me lojëra mediatiake dhe proceduriale duke shigjetuar kështu presidentin Meta, por edhe politikanët e tjerë që në shumë procese gjyqësore janë “shmangur” me procedura. Dvorani ka qenë një nga gjyqtarët që kundërshtoi shpalljen i pafajshëm të Metës për videon ku ishte me bllok në dorë.
Reagimi i plotë i Ardian Dvoranit:
Në media po mësoj se zoti President, ka vendosur apo po mendohet në fundjavë e deri të hënën, që të bëjë kallzim penal ndaj meje. Së paku, vërej se, si çdo shtetas a funksionar tjetër, më në fund e në këtë rast, Presidenti po e ushtron një të drejtë që, gjithsesi, Kushtetuta dhe ligji ia njeh kujtdo.
Ndërsa unë, si çdo shtetas dhe funksionar tjetër, i nënshtrohem Kushtetutës dhe ligjeve penale të vendit tim.
Edhe këtë detyrim duhet ta pranoj si kushdo tjetër, pa u justifikuar dhe pa u shmangur me lojra mediatike dhe procedurale përballjes me ligjin, një fenomen ky që jo pak herë ka ndodhur me njerëz të pushtetshëm në çdo kuptim të fjalës.
Respektimi i barazisë para ligjit dhe zbatimi i tij i barabartë për të gjithë ishte nevoja dhe një nga sfidat më të mëdha për të cilën u miratua dhe po fillon të zbatohet hap pas hapi Reforma në Drejtësi.
