Aleksander Ceferin, nëpërmjet një deklaratë të dhënë ditën e djeshme për agjencinë e lajmeve “ANSA” ka njoftuar se do të rikandidojë për postin e presidentit të UEFA-s. Në fjalën e tij ai nuk ka ngurruar të thumbojë edhe klubet si Reali i Madridit apo Juventusi që shpresojnë ende në krijimin e Superligës.
Një ditë ma parë, presidenti Florentino Perez pati deklaruar se Superliga ishte një përpjekje për të modernizuar futbollin, por e shpejtë ka qenë edhe replika e kreut të UEFA-s që ka saktësuar: “Presidenti i Realit mund të thotë çfarë të dojë, por besoj se e kemi diskutuar më shumë sesa duhet këtë temë. E di çfarë mendon ai, por kjo tregon se nuk ka hequr dorë nga ideja për të monopolizuar gjithçka e për të nxjerrë jashtë loje klubet me më pak fuqi ekonomike. Kjo është një ide, e cila nuk meriton komente sepse do të rriste hendekun mes klubeve të pasura dhe atyre që kanë më pak mundësi ekonomike. Një turne i tillë do të prishte çdo ekuilibër, ndaj nuk besoj se duhet të vazhdojmë të mendojmë për Superligë apo turne të ngjashëm. Kjo nuk do të ishte e drejtë për askënd dhe do të pengonte zhvillimin e mëtejshëm të futbollit”.
