Koronavirusi i ka vënë drejtuesit e futbollit europian dhe botëror në llogari të thella në lidhje me mbylljen e këtij sezoni, që është shumë i rëndësishëm për ekonominë e klubeve, që për momentin po hasin vështirësi edhe të paguajnë futbollistët e tyre.
Aleksandër Ceferin, presidenti i UEFA-s ka dhënë një intervistë për gazetën italiane “La Repubblica”, ku foli në lidhje me rregullat e reja që pritet të vendosen ne merkato.
“Nëse klubet nisin të luajnë, edhe ne mund t’i mbarojmë kupat e Europës. Pastaj, për vitin e ardhshëm mund të rregullohet numri i ndeshjeve në funksion të kampionatit Europian. Nëse sezoni nis përsëri, do të ishte i nevojshëm një kompromis. Tregu duhet të jetë i përshtatshëm. Ju nuk mund t’i thoni një lojtari të luajë deri në fund të gushtit dhe pastaj ai nuk mund të ndryshojë skuadër sepse merkato është mbyllur”
Ceferin gjithashtu përmendi disa mënyra për të mbyllur sezonin aktual, ku një mundësi është edhe përfundimi i këtij sezoni në muajin gusht, kur fillon sezoni i ri.
“Ekzistojnë të paktën tre mundësi: njëra është mbyllja e sezonit maksimumi deri në fund të qershorit. Nëse nuk kemi sukses, sezoni me siguri do të humbet. Ekziston edhe opsioni për të rifilluar në fillim të sezonit të ardhshëm, duke filluar më vonë atë pasardhësin. Ne do të shohim zgjidhjen më të mirë për ligat dhe klubet”, përfundoi Ceferin.