Çdo qytetar ka të drejtë të aplikojë paraprakisht kur plotëson kushtet e përfitimit të pensionit, që kanë të bëjnë me moshën dhe vjetërsinë kontributive të përcaktuar. Personat e siguruar që kanë plotësuar jo më pak se 15 vite sigurim shoqëror, kanë të drejtë për pension pleqërie, kur të arrijnë moshën e diktuar nga ligji. Tashmë procedurat e dorëzimit të kërkesës paraprake do mund të bëhen edhe online, krahas aplikimit në zyrat e agjencive lokale të sigurimeve shoqërore.
Nëpërmjet shërbimit që mund të bëhet online në portalin “e-albania”, ju keni mundësinë për të aplikuar online paraprakisht për përfitimin e pensionit pleqërie. Me kalimin e këtij shërbimi online është bërë e mundur edhe lehtësimi i procedurave, pasi tashmë qytetarët do të kenë një numër më të ulët dokumentesh që duhet të përfshijnë në dosje për lidhjen e pensionit. Pasi të keni përfunduar me plotësimin online të kërkesës dhe formularit përkatës, ju duhet të paraqiteni në zyrat e agjencive lokale ku keni vendbanimin për të dorëzuar dokumentet e duhura, si dhe për të konfirmuar përfundimin e procedurave për lidhjen e pensionit
Kërkesa paraprake për pensionin
Autoritetet e sigurimeve shoqërore sqarojnë se plotësimi i kërkesës paraprake nuk është i detyrueshëm dhe nuk ju shmang nga plotësimi i kërkesës për përfitimi pensioni pleqërie, por rekomandohet të plotësohet në mënyrë që aplikuesi të mos rrezikojë zgjatjen në kohë të marrjes së pensionit në momentin që i lind e drejta. Koha nga dorëzimi i kërkesës deri në momentin e lindjes të së drejtës, është e nevojshme që specialistët e sigurimeve shoqërore të mund të verifikojnë në kohë dokumentacionin e dorëzuar. Kështu, çdo personi i interesuar duke nisur nga 1 deri në 12 muaj para se t’i lindë e drejta për përfitim mund të paraqesë kërkesën paraprake.
Si kryhen procedurat e aplikimit online
Për të kryer procedurat e aplikimit në sistemin online ju duhet të dispononi këtë dokumentacion të nevojshëm: dokument identifikimi që mund të jetë Kartë Identiteti ose Pasaportë biometrike që është i nevojshëm për t’u loguar në portal). Gjithashtu duhet të keni edhe fotokopje të kartës së identitetit ose certifikatë lindjeje personale, certifikatë familjare, certifikatë martese (për mbiemrin para martese për kërkueset femra), fotokopje e librezës së punës, si dhe diplomën e shkollës së lartë ( që duhet vetëm për aplikueset femra). Sa i takon procedurave që duhet të ndiqni, fillimisht ju duhet të identifikohuni si qytetar në portalin “e-Albania”. Më pas zgjidhni shërbimin “Kërkesë paraprake për përfitim pensioni pleqërie”, klikoni në butonin “Përdor” ku do të vijoni me procedurat e plotësimit të formularit përkatës, si dhe të dërgoni aplikimin pasi të keni përfunduar me hedhjen e të dhënave të kërkuara.
Tre pjesët e formularit online
Formulari është i ndarë në tre pjesë. Fillimisht ju duhet të zgjidhni drejtorinë dhe agjencinë lokale ku do aplikoni. Numri dhe data e regjistrimit plotësohen automatikisht nga sistemi. Pjesa e parë ruan të dhënat e gjeneraliteteve tuaja. Numri juaj i sigurimit plotësohet paraprakisht në momentin që ju hyni në portal me kredencialet tuaja. Më tej, duke klikuar butonin “Merr detaje nga regjistri”, automatikisht plotësohen edhe fushat e tjera me të dhënat tuaja nga gjendja civile. Fushat që ngelen bosh jeni të detyruar t’i plotësoni manualisht. Në pjesën e dytë, duhet të zgjidhni arsyet dhe llojin e përfitimit. Duhet të dini që ky shërbim elektronik është i vlefshëm vetëm për pensionin e pleqërisë. Ndërsa në pjesën e tretë duhet të deklaroni periudhën tuaj të sigurimit dhe zgjidhni dokumentet që keni për të dorëzuar. Ju mund ta ruani formën e plotësuar si projekt për të vazhduar në një moment tjetër, ose mund ta dërgoni menjëherë për procesim në serverin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore. Pasi të keni përdorur këtë shërbim elektronik, ju duhet të paraqiteni në zyrat e agjencive lokale për të dorëzuar dokumentet. Në çdo rast shërbimi ofrohet pa pagesë.
Sigurimi i dokumenteve
Sikundër e theksuam edhe më lart, qytetarët që aplikojnë për të dalë në pension nuk do të sorollaten më nëpër institucione për sigurimin e një sërë dokumenteve që duhen për të plotësuar dosjen e pensionit. Tashmë pjesa dërrmuese e këtyre dokumenteve do të sigurohen nga vetë institucionet. Konkretisht në dosjen e pensionit duhet të përfshihet:Fotokopje e nënshkruar e letërnjoftimit elektronik që sigurohet nga vetë institucioni, Certifikatë familjare, që sigurohet nga vetë institucioni, Librezë pune që sigurohet nga qendra e punës, Vërtetim page sipas së cilës është derdhur kontribut që nga viti 1994 deri në momentin e lënies së punë që merret pranë qendrës së punës, mandatpagesat për derdhjen e kontributeve sigurohet nga banka, Librezë kontributesh që sigurohet nga Qendra e punës, Vërtetim i pagesës së papunësisë (asistencë) merret nga Zyrat e Punës, Vërtetim i gjendjes gjyqësore (Dëshmi penaliteti) që sigurohet nga vetë institucioni. Po ashtu të tjera dokumente që duhet të shoqërojnë dosjen janë: vërtetim për pagesën kalimtare (si ushtarak) jepet nga qendra e punës, vërtetim për ushtrim të aktivitetit privat merret nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, vërtetim në rastet e ndryshimit të gjeneraliteteve kalohet nga Zyra e Gjendjes Civile, vërtetim i vjetërsisë në pune në kooperative bujqësore për ish-anëtarët e saj para vitit 1992 që sigurohet nga vetë institucioni, vërtetim për vjetërsinë në pune dhe llojin e saj para vitit 1994 që sigurohet nga vetë institucioni, Vërtetim si i vetëpunësuar në bujqësi që sigurohet nga vetë institucioni, deklaratë për vitet e punës që plotësohet nga aplikanti, diploma e shkollës së lartë merret nga institucionet arsimore, Certifikatë martese që sigurohet nga vetë institucioni, Vërtetim për periudhën e Shërbimit të Detyrueshëm Ushtarak ( vetëm për burrat) jepet nga Dega e Mobilizimit Ushtarak, Vërtetim për faktin e dënimit për motive politike dhe kohën e vuajtjes së tij që merret nga Ministria e Drejtësisë, si dhe vendim gjykate për njohje vjetërsie në punë Gjykata e shkallës së parë.
Masa e pensionit të pleqërisë:
Pensioni mujor i pleqërisë përbëhet nga një shumë bazë dhe nga një shtesë. Shuma bazë llogaritet si raport i periudhës së sigurimit, që ka realizuar personi, me periudhën e sigurimit të kërkuar, sipas tabelave të daljes në pension pleqërie, bazuar ne moshë dhe vite sigurimi, shumëzuar me pensionin social. Shtesa do të jetë 1për qind për vit sigurimi shumëzuar me bazën mesatare të vlerësuar që personat e siguruar kanë arritur nëpërmjet kontributeve, gjatë gjithë historisë së tij kontributive. Shuma e përgjithshme e pensionit nuk mund të jetë më e vogël se pensioni social. Sipas kushteve të përcaktuara në ligj, nënat që kanë lindur 6 ose më shumë fëmijë, të cilët janë mbi 8 vjeç, kanë të drejtë të dalin në pension kur mbushin moshën 55 vjeç dhe kanë 30 vjet periudhë sigurimi.
Hapat që duhet të ndiqni
Identifikohuni si qytetar në portalin e-albania (www.e-albania.al).
Zgjidhni shërbimin “Aplikim për pension pleqërie, suplementar pilot, suplementar lundrues i nëndetëseve apo suplementar për akademik”.
Klikoni butonin “Përdor”.
Përzgjidhni llojin e pensionit për të cilën do të parashtroni kërkesën për përfitim.
Plotësoni formularin elektronik me të dhënat e nevojshme mbi periudhat e punësimit, marrëdhëniet financiare si dhe përfitimeve të tjera të nevojshme.
Klikoni butonin “Dërgo” në fund të formularit.
Duke filluar nga 1 janari 2020, për dokumentacionin shoqërues të shërbimit do të aplikohet ndarja si në vijim: