Një kërkim nëpër dokumenta rikthen historinë e një prej personazheve më kontradiktorë të historisë së mafias. Del një portret plot me detaje i atij që “drogoi Amerikën”, duke ja arritur thuajse gjithmonë t’ia kalojë pa u lagur. Por edhe shpirtin e kohërave, me imunitetin që mund të blihej, kazinòtë dhe muzikën e Frank Sinatra
Agjenti special i Bureau of Narcotics me mision në Hot Springs e kap nga jaka e palltos dhe i ulërin: «Ti ke droguar Amerikën». Ai e sheh me habi, ndez një cigare dhe qetësisht i përgjigjet: «Ju merreni me virtytet e qytetarëve, unë mendoj për veset e tyre». Ishte natë në Arkansas. Deri atë ditë, 9 herë e patën arrestuar dhe 9 herë e patën lëshuar me kusht. Por në Hot Springs, 3 prillin e vitit 1936, jeta e tij ndryshoi përgjithmonë.
Shpërndante heroinë coast to coast, kontrollonte 5000 “vajza” në 12 shtete të ndryshme të Amerikës, jetonte në suitën më të shtrenjtë e Waldorf Astoria të New York, fitonte gjysmë milioni dollarë në muaj dhe u thoshte të gjithëve: «Nuk kam qenë kurrë varfanjak dhe nuk do të bëhem kurrë i tillë». Ishte mbret i krimit ai shkurtabiq siçilian, i zbarkuar në fillimet e shekullit në Lower East Side. Vinte nga Lercara Friddi, një fshat ne provincën palermitane midis kodrinave me ullinj dhe minierave të squfurit. Kishte lindur atë më 1897. Quhej Salvatore Lucania, e njihnin si Lucky Luciano.https://ads.gogel.al/www/delivery/afr.php?zoneid=107&target=_blank&cb=INSERT_RANDOM_NUMBER_HERE
Gjuetia e shtrigave
Një “biografi” e tij është në faqen zyrtare të FBI, me 548 faqe, shumë prej të cilave të errësuara prej “omissis”. Kurse Lucky Luciano më i plotë dhe i parrëfyer gjendet në mijëra dokumentat letër e federalëve dhe të agjencive të tjera investiguese amerikane të ruajtur në Arkivat Kombëtare Amerikane të College Park në Maryland (Nara, Record Group 170, Entry 71A-3555, Boxes 1 and 2), një mal me njoftime të mbledhura në një çerek shekulli. Aty në mes ndodhen informacione të besueshme, shumë të detajuara dhe zëra të ardhur nga “deep throat” të pamundur, të sqaruara me shumë skrupull të përziera me thashetheme të përcjella me shkathësi në “sinjalizimet” edhe lidhur me personazhe të famshme apo të sikletshëm.
Si regjisori Roberto Rossellini (të cilin agjentëtë federalë e citojnë gjithmonë si “Rosselini”, me një l të vetme) apo aktori Errol Flynn, të konsideruar deri bashkëpunëtorë në trafikun e drogës së bosit nga Lercara Friddi. Përçartje të “protokolluara” me skrupulozitet. Është Amerika që përjeton një prej periudhave më të errëta të saj, atë të maccartizmit dhe të “gjuetisë së shtrigave”, që lëshohet si e tërbuar kundër yjeve të spektaklit dhe intelektualëve të dyshuar për komunizëm apo “aktivitete subversive” fantazëm”, një Amerikë që shikohet trishtueshmërisht edhe në skedën “FBI 62920“ të adresuar Lucky Luciano.
Lucky
Lidhur me Lucky ekzistonte një survejim asfiksues. Agjentët specialë dinin shumë për llogari të tij, por nuk arritën kurrë ta kapnin me presh në duar bosin që “modernizoi” mafien. Ishte pikërisht Lucky, “fatlumi”. Me sa duket edhe pak spiun. Siç lexohet në rreshtat e parë e “profilit” të tij: «Lucania u dha agjentëve të dhëna të sakta që çuan ne sekuestrimin e një arke që mbante një sasi të madhe narkotikësh në një bodrum në Nr. 163 e Mulberry Street në New York. Sekuestrimi ndodhi më 29 shtator 1923. Banda u arrestua nga kjo zyrë më 17 shtator 1923. Nga momenti që Lucania dha goxha ndihmë në realizimin e sekuestrimit të sipërpërmendur, nuk u inkriminua kurrë me akuzën e markotrafikut.
Denoncimi që rëndonte mbi të u anullua». Por në Hot Springs atë natë të vitit 1936, Luciano nuk arriti të shpëtojë. U dënua me 30 vjet burg. Gjithësesi, doli nga burgu në fillimin e 1946, i liruar pas fjalës, pasi siç deklaroi Thomas Dewey, Guvernatori i Shtetit të New York, «forcat e armatosura amerikane kishin kërkuar ndihmën e Luciano» për të siguruar «informacione mbi një sulm të mundshëm armik» pas hyrjes në luftë të Shteteve të Bashkuara në dhjetorin e 1941.
Në shëtitje nëpër botë, Lucania u përzu si i “padëshiruar“ dhe u kthye në Itali. Gjithmonë në shëtitje. Në Napoli, në Palermo e në Romë, në Capri e në Taormina. Pastaj shkoi në veronte në Kubën e kazinove dhe të intrigave që njoftonin tashme ardhjen e regjimit ushtarak të Fulgencio Batista. Samite mafioze dhe “mojitos” nën hijen e palmave, trafiqe të paligjshme dhe pritje faraonike në nderim të Frank Sinatra, që në Havanë ishte si i shtëpisë. Lucky Luciano shkonte e vinte nga Kuba, Meksika, Venezuela e Kolumbia, nga Casablanca, Rio de Janeiro dhe Buenos Aires. Dhe në fund u kthye në Napoli.
Një ekzil i praruar mes balerinash, luksi dhe aferash mafioze. Një dhomë në “Vesuvio” me pamje nga gjiri, të ngrënat tek “da Giacomino” e tek “California“, bastet në hipodromin e Agnano, darkat e kaluara në klubin e natës “Trocadero”. Jetonte tamam si pasha. Në enturazhin e tij kishte vrasës dhe artiste të dorës së dytë, korruptonte funksionarë të lartë policie, mbrohej nga diplomatët e ambasadës amerikane në Romë. U bë aq popullor sa që nëpër rrugët e Napolit marinarët e flotës amerikane me liridalje i kërkonin autograf.
Obsesione
Nga momenti i “përzënies” së tij nga Shtetet e Bashkuara (shkurt 1946) në atë vdekje të papritur prej infarktit në aeroportin e Capodichino (janar 1962), Salvatore Lucania qe obsesioni aparateve policore të përtejoqeanit. Raporte, kujtime, skeda dhe kabllograme që shkonin nga dhe për Uashington edhe shumë herë në ditë. Investigime me nivel teknik shumë të lartë për ato kohë (FBI ndiqte tashmë gjurmë telefonike, individualizonte përdorues, analizonte tabulate) dhe devijime policore të komisionuara nga pushteti politik. E ndoqën në çdo cep të botës për 16 vjet. Shumë “memo” qenë firmosur nga agjentët specialë Charles Siragusa dhe Henry L. Manfredi. I pari do të bëhet armiku numër një i Salvatore Lucania dhe në vitin 1973 do të interpretojë veten në filmin e Francesco Rosi për superbosin me origjinë nga Lercara Friddi.
Në Palermo
Por në Palermo hapet “album” i fundit kriminal i Lucky. Ja se çfarë ruhet në skedarët e Bureau.
12 janar 1947. «Luciano…më pas u kthye në Palermo në 18 maj 1946 në shoqërinë e dashnores së tij Virginia Massa. Çifti u strehua në Hotel delle Palme. Dokumenti i identitetit i paraqitur nga Luciano qe një teserë postare (Nr. 637484) e lëshuar në Romë më 6 mars 1946. Gjatë qëndrimit të tij të parë në Hotel delle Palme, Luciano ishte në shoqërinë e një italoamerikani, Gaetano Martino, pjesëtar i Marinës Ushtarake amerikane. Fillimisht, në hotel Luciano kishte raporte miqësore me oficerët amerikanë e ndodhur aty».
11 shkurt 1947. «Lucky Luciano ndodhet në Kubë me identitetin e zotëri Adano. Duke ju besuar të mirëinformuarve në Uashington, do t’i jepet një medalje amerikane pas vdekjes së tij, nga momenti që u ka dhënë “një ndihmë të madhe shërbimeve të inteligjencës ushtarake” amerikane në pritje të zbarkimit aleat në Siçili në vjeshtën e 1943. Me pak fjalë, “aktivitetet nën koperturë” të tij kanë kontribuar në “shpëtimin e mijëra jetëve amerikane”…».
20 shkurt 1947. Sipas një artikulli të botuar nga e përditshmja kaiforniane “San Francisco News” «Frank Sinatra është me pushime në Kubë në shoqërinë e të njohurit Lucky Luciano». Pak përpara nisjes së këngëtarit për Miami, shkruan gazeta, «Lucania ka marrë pjesë në festën e lamtumirës në nderim të Sinatra».
Një kazinò e madhe
25 shkurt 1947. «Nga Havana, Luciano flet thuajse çdo ditë në telefon me Meyer Lansky. Bashkë me bosin mafioz të New York, Lucania po planifikon në fakt të ndërtojë “kazinònë më të madhe të botës” në Kubë. Veç kësaj, Luciano dhe Lansky do të kenë në dispozicion një flotë ajrore private për lidhjet midis Havanës dhe Miami».
21 mars 1947. Pas mbërritjes së Luciano në Havanë në fund të tetorit 1946, «janë mbajtur festa të ndryshme në nderim të tij, festa ku merrnin pjesë shumë bukuroshe kubaneze dhe amerikane, pashkë me yje amerikanë… Frank Sinatra dhe bosët mafiozë Meyer Lansky, Frank Costello dhe Bugsy Siegel».
15 maj 1947. «Thuhet se Bugsy Siegel për dy shtëpi të mëdha lojërash në afërsitë e Las Vegas (Nevada). Pohohet se kazinòja “The Flamingo” i përket Bugsy Siegel, Mae West (aktore hollywoodiane) dhe Frank Sinatra».
17 mars 1948. «Lucky Luciano po tenton me këmbëngulje të futet në industrinë kinematografike italiane. Ka folur për një bashkëbisedim të tij të ardhshëm me Orson Welles, aktorin e shquar që aktualisht ndodhet në Hotel Excelsior të Romës. Veç kësaj, Lucania ka lënë të kuptohet se George Raft (aktor Hollywood) pritej në Paris dhe më pas do të vinte në Romë për një seri bisedash me të lidhur me industrinë kinematografike italiane”.
9 shkurt 1949. «Lucky Luciano vazhdon ta shëtisë Italinë gjatë e gjerë».
8 korrik 1949. «Italoamerikani Charles Vincent Trupia është arrestuar nga policia me 9 kilogram kokainë në Romë. Trupia ka rrëfyer se “punon” për Lucky Luciano dhe se i “përket një prej organizatave të tij në SHBA”. Lucky Luciano ka deklaruar se shumat e mëdha të parave të akumuluara prej të në Itali vijnë nga “fabrika e tij e ëmbëlsirave në Palermo” dhe nga “investimet e mëdha të tij në industrinë kinematografike italiane”.».
Një film eksitues
19 korrik 1949. «Iole Inciardi ka treguar se është takuar për herë të parë me Luciano në New York, në moshën 16 vjeçare. E ka njohur Luciano në një klub nate… Pasi ka ardhur në Itali, i ka telefonuar Luciano dhe marrëdhënia e tyre është rigjallëruar. Më pas kanë vizituar bashkë Romë, Capri, Napoli, Siracusa dhe Pompei… Me Luciano, zonja Inciardi frekuentonte ambientet e aristokracisë italiane. Midis tyre ishte zakon që të konsumohej drogë… Një dozë kushtonte midis 2000 dhe 3000 liretave. Droga vinte nga Amerika Latine… Sipas zonjës Inciardi, trajtimi i rezervuar Luciano nga policia italiane përbën një ofendim ndaj ligjit. Faktikisht, në Palermo policët ishin në kërkim konstant të shoqërisë së Luciano, i cili sipas zonjës Inciardi, jeton me paratë që i dërgohen nga gjobat e klubeve të natës dhe Porti i New York…».
1 shtator 1949. «Në Palermo, Lucky Luciano mban raporte shumë miqësore me Policinë dhe Guardia di Finanza».
13 shtator 1949. «Producenti kinematografik Marshall Grant (Columbia Pictures) i ka kërkuar Hollywood informacione mbi “trafikun e drogës” me të cilin dukej se ishte i “lidhur” Lucky Luciano. Producenti shprehet i bindur se mund të dalë “një film eksitues”…».
Imunitet
5 maj 1951. Deklarime të bëra nga Lucky Luciano gjatë një seance marrjeje në pyetje: «Gjatë qëndrimit tim në Itali duke filluar prej vitit 1947, km kërkuar të hap një pastiçeri në Palermo me një farë konti Bova,por aktiviteti ka falimentuar pas rreth 2 vjetësh. Në biznes humba 7.5 milion lireta. Jam shtetas italian dhe banoj në Itali nga prilli i 1947. Nuk paguaj taksa, i paguan familja ime».
Një shënim shton se rezidenca e Salvatore Lucania gjendet «në Via Tasso 484 apo 464 në lagjen Vomero të Napolit. Bosi posedon edhe nj pronë prej 2000 metrash katrore në adresën Nr. 184të Via Aurelia në Santa Marinella, afër Romës».
16 gusht 1951. «Duke paguar rryshfet, Luciano ka arritur të sigurojë imunitetin nga disa funksionarë të policisë italiane me qëllim që ta minimizonin rëndësinë e tij në aktivitetet kriminale… Luciano i paguante rregullisht rryshfet të përjavshëm komisarit Guarino, drejtues i Squadra Mobile të Palermo. Pagesat bëheshin në Hotel delle Palme».
13 shtator 1951. «Në të përjavshmen “L’Europeo” është botuar artikulli i mëposhtëm: “Gjatë një dite shumë të nxehtëm, Roberto Rossellini ka vizituar Santuario di Pompei bashkë me disa miq anglezë. Ishte nga mesi i pasites dhe kisha ishte krejtësisht bosh. Në hyrje të mbysnin mizat e kalit. Rossellini ka hyrë për pak kohë, teksa bënet ciceronin për mitë e tij.
Dy burra qenë gjunjëzuar përpara altarit… Ishin kontrabandisti Lucky Luciano dhe producenti kinematografik Peppino Amato… Ka mundësi që Luciano ka organizuar një fushatë publicitare në stil të gjerë për të ndërtuar imazhin e një frekuentuesi të zjarrtë të kishave, filantropi fetar e kështu me radhë”..».
2 maj 1952. «Santa Marinella është qyteti ku Lucania duket se po ndërton një shtëpi për të kaluar pushimet verore. Veç të tjerash, rezulton një koinçidencë se Roberto Rosselini (sic) dhe Ingrid Bergman posedojnë një shtëpi në këtë vend. Kemi dëgjuar shumë zëra sipas të cilave Lucania dhe Rosselini (sic) janë miq të mirë. Vetë Lucania ka pohuar publikisht se do t’i pëlqente që dikush të prodhonte ndonjë film për jetën e tij. Deduktohet se Lucania po kërkon ta bindë Rosselini (sic) që ta drejtojë filmin».
18 qershor 1952. «Duket se doktor Giuseppe Dosi, shefi i Interpolit në Itali, është “një zëdhënës shtypi jozyrtar” në shërbim të Lucky Luciano. Në fakt, Dosi i ka thënë doktor Reick (Policia Kriminale e Hamburgut, Republika Federale Gjermane) se Lucania “nuk është kriminel i rrezikshëm, se nuk është absolutisht narkotrafikant dhe se Mafia nuk ekziston”…».
Filmi i De Filippo
2 dhjetor 1952. «Kur Luciano është arrestuar dhe marrë në pyetje në Romë, i është sekuestruar një bllok me adresa. Në centralin e policisë italiane, agjenti Henry L. Manfredi ka transkriptuar më pas çdo emër të pranishëm në bllok. Por doktor Giuseppe Dosi, atëbotë zëvendëskuestor i Romës, ka ndërhyrë duke i marrë të gjitha dokumentat e sekuestruara Lucky Luciano. Doktor Rosario Baranco ka zbuluar më pas “një autoritet i lartë kishte ndërhyrë”…».
17 shkurt 1953. «Pohohet se Roberto Rosselini (sic), burri i aktores së kinemasë Ingrid Bergman, është një prej “lidhjeve” të mëdha të trafikut të heroinës në Napoli. Veç kësaj, vlerësohet se është partner i Salvatore Lucky Luciano».
29 shtator 1953. Sipas një artikulli të botuar një ditë më parë nga e përditshmja romane “Il Messaggero” (i titulluar Lucky Luciano është në kërkim të 100 milion liretave për një film), «bosi siçiliano – amerikan synon që të prodhojë një film “të bazuar mbi jetën e tij”. Gjithësesi duket se Lucania ka pranuar tashmë “një ofertë” të bërë nga aktori italian Edoardo De Filippo».
5 janar 1954. Sipas një artikulli të botuar nga e përditshmja “Il Corriere di Napoli” më 17 dhjetor 1953, Edoardo De Filippo «nuk do të prodhojë ndonjë film mbi jetën e Lucky Luciano… një diçka që aktori i madh napolitan nuk ka pasur kurrë ndërmend ta realizojë. De Filippo ka damkosur gjithçka si “fantazi” dhe si “shaka pak të gëzueshme”…».
Shumë yje
Skeda prej 24 faqesh që i përket vitit 1954 lidhur me aktivitetet kriminale e Lucky Luciano në SHBA, në Itali e në shumë vende të tjera midis qershorit 1916 dhe dhjetorit 1953. Ja çfarë shkruajnë federalët në faqen e fundit: «Në vitin 1953 vlerësohej se producenti kinematografik italian Roberto Rosselini (sic) ishte një prej lidhjeve të mëdha në trafikun e heroinës në Napoli dhe, ka shumë të ngjarë, një partner i L. E. (Leslie Errol) Flynn në Costa Azzurra… Në Napoli, një farë Natie ka të ngjarë që është në narkotrafik bashkë me Lucky e me Rosselini…».
1° luglio 1959. «Në Palermo, Lucky Luciano është i lidhur fort me Ugo Luca, ish gjeneral i Karabinierëve, që më 1950 kishte drejtuar luftën kundër bandës së njohur Giuliano në Siçili. Kemi marrë raporte të ndryshme (të privuara nga provat) sipas të cilëve gjenerali ka ndihmuar Lucania…».
Një dokument i datuar gjithmonë 1 korrik 1959. «Në Napoli, Lucky Luciano shkon shpesh në hipodromin e Agnano, ku zakonisht fiton shuma të mëdha parashë. Frekuenton restorantin “California” në Via Santa Lucia dhe ëdhtë në kontakt me pronarët e klubit të natës “Trocadero” në Via Partenope 10.
Veç të tjerash, dyshohet se Lucania përdor ekuipazhet e anijeve që i përkasin armatorit Achille Lauro për të komunikuar me bashkëpunëtorët e tij jashtë vendit. Dosjet që kanë të bëjnë me to nuk ruhen në akrivat e Kuesturës së Napolit, por nëpër rafte “konfidencialë” në dispozicion eksluziv të shefit të Degës Gjyqësore. Vetëm kuestori është i autorizuar t’i konsultojë këto dokumenta».
2 mars 1961. Sipas “burimit” Louis Russo, «Lucky Luciano ka frekuentuar gjithmonë shumë yje të botës së spektaklit. Aktorët Jimmy Durante dhe George Raft janë në fakt “miq të ngushtë personalë” dhe “admirues të mëdhenj” të bosit, ashtu si edhe Frank Sinatra. Veçanërisht Raft është një lloj “favoriti” dhe, kur udhëton nëpër Europë, nuk mungon kurrë që ta takojë Lucania në Napoli. Kurse Sinatra “në një farë mënyre është larguar” nga rrethi i ngushtë i Lucky. Gjithësesi, këngëtari “i telefonon shpesh” bosit».
10 prill 1961. «Në Hotel delle Palme të Palermos, Lucky Luciano është takuar me Giuseppe Genco Russo, kreun e mafies siçiliane, në pasditen e 24 marsit 1961. Biseda midis të dyve ka zgjatur 2 orë. Është mësuar edhe se në Hotel delle Palme, po më 24 mars, Lucania ishte në shoqërinë e Salvatore Salemi (një “kushëri” i Lucky), e “baronit La Lumia”, e “noterit publik Roa” dhe të “doktor De Mauro (emri i pagëzimit i panjohur), një prej drejtuesve të gazetës “L’Ora”, botim siçilian i majtë”. Në vijim të një kontrolli të kryer nëpër skedarë, ka dalë se “De Mauro” në fjalë “është padyshim doktor Mauro De Mauro… një gazetar me qëndrim jashtëzakonisht provokues pranë së përditshmes “L’Ora”, një gazetë prokomuniste».
(Dokumentat lidhur me Lucky Luciano janë gjetur nga kërkuesi dhe eseisti Mario J. Cereghino në Arkivat Kombëtare Amerikane e College Park të shtetit Maryland)
Përgatiti Armin Tirana