Prokurori Arjan Ndoja është tashmë i njohur për të gjithë opinionin publik, pas përfshirjes në atentatin e para disa viteve ku humbi jetën shoferi i tij. Sot, Prokurori i Durrësit do të dalë para Vetting-ut pasi ka nisur procesi ndaj tij.
DISK ka konstatuar përshtatshmëri të figurës për prokurorin e Durrësit, Arjan Ndoja. Gjithashtu, sipas DISK, Arjan Ndoja dyshohet mes të tjerash se ka favorizuar persona me precedent penal gjatë detyrës së tij.
Po ashtu, rezulton se në vitet 2009 dhe 2010 ai ka pasur kontakte me persona të përfshirë në korrupsion, duke caktuar një trupë gjykuese për një konflikt pronash.
Kujtojmë se Ndoja u përshi në një atentat në mbikalimin e Shkozetit në Durrës, ku mbeti i plagosur ai vetë, shoferi Andi Maloku si dhe një person tjetër i identifikuar si Aleksandër Laho- emri i vërtetë i të cilit është Landi Muharremi i dyshuar për përfshirje në krimin e organizuar. Ndërkohë vetë Ndoja lidhur me këtë atentat shprehet se ka ardhur si pasojë e ndërhyrjes së qeverisë.
Prokurori Arjan Ndoja u targetua në fillim të tetorit të 2019 nga kryeministri Edi Rama dhe zv.kryeministri Erion Braçe se po i shërbente krimit të organizuar me urdhër-arrestin e lëshuar ndaj drejtorit të Kadastrës së Durrësit, Liridon Pula. Ndërkohë më herët, Ndoja është hetuar për pastrim parash dhe fshehje pasurie, por akuzat ndaj tij u rrëzuan nga Prokuroria.