Në një intervistë për gazetaren e RTV Ora, Alba Kepi të transmetuar në Tempora, kreu i Departamentit të Prokurorisë së Antimafias Italiane të Reggio Calabrias, Giovanni Bombardieri u shpreh se Shqipëria dhe vendet e tjera të Evropës Lindore janë një potencial për zhvillimin ekonomik të mafias.

Bombardieri shtoi se në Shqipëri kanë një oficer kontakti që punon me ta e i ndihmon të kenë rezultate pozitive siç ishte rasti i shqiptarit i lidhur me Ndranghetan, i ekstraduar në Itali.

Gjithmonë duke u ndaluar tek territori. Ka pasur dhe raste që eksponentët të mafias kalabreze janë strehuar për t’iu fshehur drejtësisë italiane në Shqipëri?

Prokuror Giovanni Bombardieri – Po natyrisht e kanë dëshmuar këtë hetimet e mëparshme por dhe të tashmet e pikërisht për këtë raport të restauruar që kanë grupet kriminale shqiptare me klanet mafioze italiane, kanë mundur që në Shqipëri të gjejnë një vend fshehje ndërsa kërkohen nga drejtësia. E jo vetëm, ne kemi sinjalizime që në këtë territor mund edhe të investojnë. Ndrangheta është një mafia që ka një thirrje sipërmarrëse mjaft të fortë. Si dikur kur investonte në Gjermani e në vendet e Evropës Veriore, sot po çon interesat e investimeve të saj në vendet e Evropës Lindore si dhe Shqipëri. Janë vende që u ofrojnë atyre një potencial zhvillimi ekonomik.

Dhe operacioni i fundit i rajonit tuaj, “Basso profilo”, i Departamentit të Antimafias së Catanzaros, zbardhi pikërisht interesat ekonomike të Ndranghetas në Shqipëri. Citoj fjalët e Kreu të Përgjithshëm të Antimafias Italiane, Prokuror De Raho i cili pak ditë më parë u shpreh se “mafia investon pikërisht aty ku forca e ligjit dhe lufta kundër krimit nuk është e fortë”. E Shqipëria është bërë një tokë e përshtatshme për ta?

Prokuror Giovanni Bombardieri – Shqipëria dhe vendet e tjera të Evropës Lindore janë një potencial për zhvillimin ekonomik të mafias. Siç thashë më parë mafia ka investuar ekonomikisht më parë në vendet e Europës Veriore. Fluksi financiar solli pasurimin e këtyre territoreve por njëkohësisht ndotën ekonominë legale, ndotën shtresën sociale. Por sot këto vende kanë një vetëdije më të lartë ndaj rrezikut mafioz, perceptim që nuk e kishin më parë. Janë prokuroritë e këtye vendeve që  sot kërkojnë bashkëpunimin tonë.

E pikërisht kjo gjë nuk duhet të ndodh në vendet e Europës Lindore. Duhet të kuptojnë se Mafia investon e ndot ekonominë e shoqërinë e këtyre vendeve e pra është rreziku që krahas flukseve financiare që pranohen me shumë dëshirë, të vijnë edhe forma të tjera investimesh, jo vetëm tipike mafioze, por dhe të formave të tjera ilegale që janë lidhur me qëllimin ekonomik të zhvillimit mafioz, si korrupsioni në aparatin institucional e një depërtim i fortë në sistemin ekonomik. Kjo sjell rrezikun e ndotjes së ekonomive të reja në zhvillim. Ne në Shqipëri kemi një oficer kontakti që punon me ne e na ndihmon të kemi rezultate pozitive siç qe rasti i shqiptarit i lidhur me Ndranghetan, e i ekstraduar në Itali.

Në Evropë ne kemi një praktikë që është mjaft e rëndësishme për hetimet, e që janë skuadrat investiguese të përbashkëta. Pra krijimi i skuadrave të përbashkëta të autoriteteve gjyqësore e të policisë gjyqësorë për të përballuar bashkërisht hetimet. Nuk është më e mjaftueshme bashkëpunimi në fazën ekzekutuese të hetimit, siç është rasti i një ekstradimi, apo ekzekutimi i një urdhër sekuestrimit. Sot është e rëndësishme të kryhen hetime të përbashkëta, të ndiqet fenomeni kriminal që në fazën e parë të tyre, duke shkëmbyer të dhënat, duke shkëmbyer elementët hetimore e që na çon në përshpejtimin e ndërhyrjeve tona apo të kolegëve shqiptarë ose të vendeve të tjera. Modeli investigues që duhet zhvilluar në maksimum është ai i bashkëpunimi në fazën hetimore e jo vetëm në fazën ekzekutuese, pra finale të tyre. Skuadrat investigative të përbashkëta janë një element i rëndësishëm për të luftuar fenomenin mafioz.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here