Prokuroria ka apeluar vendimin e dhënë nga Gjykata për Ervin Matën, për ngjarjen e ndodhur në ish-bllok në tetor.
Mata u dorëzua pas disa muajsh vetë në polici duke thënë se nuk kishte qëlluar. Gjykata ndaj tij vendosi detyrim paraqitje. Por prokuroria ka qenë kundër këtij vendimi, duke bërë dhe apelimin.
Ervin Mata ishte shpallur në kërkim që prej katër muajsh, ndërsa u dorëzua në polici mbrëmjen e djeshme.
Ai u përfshi në konfliktin me armë të ndodhur në 5 tetor në një lokal në Ish-Bllok, ku u qëllua për vdekje Fabjol Gaxha, ndërsa mbetën të plagosur Ervis Martinaj dhe Eljo Hato. Gaxha dyshohet se u qëllua për vdekje nga ish-komandoja Mervjol Bilo, i cili vijon të jetë ende në kërkim.
Por ndërsa fillimisht, pati dyshime se konflikti erdhi si pasojë e një ngacmimi që i ishte bërë të fejuarës së Matës, këngëtares së njohur Elvana Gjata, hetimet vazhduan edhe për motive që kishin të bënin për prishje të pazareve të drogës.