Hetimet ndaj Kastriot Gjuzit të dyshuar për vrasjen e Mario Majollarit janë pushuar nga Gjykata e Tiranës, pasi sipas pretendimeve të Prokurorisë nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e tij.
Mario Majollari u vra rreth jnë vit më parë pranë shtëpisë së tij. E pranishme në sallën e gjyqit,e ëma e Marios e revoltuar tha se do të apelojë vendimin. Ajo tha se pretendimi i prokurorisë për të gjetur armën 9 ditë pas vrasjes nuk qëndron, ndërsa mohon se ata familjarisht kanë probleme të tjera që mund të çonte në vrasjen e djalit të saj.
“Prisja më shumë nga ky shtet që i doli për zot djalit tim dhe e ktheu. Këta janë të gjithë të korruptuar, çfarë drejtësie është kjo”, është shprehur ajo.
Më herët, Akuza e kryeqytetit, pas më shumë se 1 viti hetime, konkludoi se nuk ka prova të mjaftueshme për të vërtetuar fajësinë e tij dhe kërkoi pushimin e çështjes. Në këto kushte, hetimet për zbardhjen e një prej vrasjeve më të diskutuara në kryeqytet shkon në pikën zero dhe nuk ka asnjë të dyshuar.
Kujtojmë se Policia e Shtetit do të njoftonte vetëm 24 orë nga vrasja, se e kishte zbardhur dhe shpallur në kërkim autorin e dyshuar, i cili u arrestua më vonë në Kosovë. Ndërkohë, Gjuzi nuk e pranoi asnjëherë fajësinë, duke thënë se nuk e ka varë ai Majollarin, por në atë kohë prokurori pretendonte se kishte prova të mjaftueshme për të ngritur dyshimin e arsyetuar, se ai ishte autori i vrasjes.
