KreuLajmet e FunditQeveria australiane anulon për herë të dytë vizën e tenistit serb

Qeveria australiane anulon për herë të dytë vizën e tenistit serb

Tenisti i njohur serb Novak Gjokoviç sërish përballet me deportim nga Australia, pasi qeveria e këtij vendi i anuloi për herë të dytë vizën, zhvillimi i fundit në betejën nëse tenisti numër një në botë duhet të lejohet të garojë në turneun Australian Open pavarësisht faktit se ai nuk është vaksinuar kundër COVID-19.

Qeveria australiane anuloi për herë të dytë vizën e Novak Gjokoviçit, me arsyetimin se lojtari numër një në botë i tenisit, i cili është i pavaksinuar kundër COVID-19, përbën rrezik për komunitetin.

Tenisti serb mund ta sfidojë vendimin për herë të dytë në gjykatë. Ai synon të fitojë turnun e Australisë për t’i shtuar trofeve të tij titullin e 21 rekord të turneve të mëdha, por është ende e paqartë nëse do të ketë kohë të luajë pasi turneu fillon të hënën. Ministri australian i Emigracionit, Alex Hawke shfrytëzoi fuqinë e tij për të anuluar vizën e Gjokoviçit, disa ditë pasi një gjykatë anuloi masën e parë të vendosur ndaj tij dhe e liroi atë nga mbajtja në një qendër paraburgimi të emigracionit.

“Sot ushtrova fuqinë time sipas Ligjit të Emigracionit për të anuluar vizën e zotit Novak Gjokoviç, për arsye shëndetësore dhe rregullat e përgjithshme, sepse ishte në interes publik për të vepruar kështu. Qeveria është e përkushtuar në mbrojtjen e kufijve të Australisë, në veçanti nga pandemia COVID-19”, tha ai.

Ai shtoi se vendimi u mor pas shqyrtimit të kujdesshëm të të dhënave të ofruara nga zoti Gjokoviç, Departamenti i Punëve të Brendshme dhe Forcat australiane të Kufirit. Sipas Ligjit të Emigracionit, tenistit Gjokoviç i pamundësohet marrja e një vize australiane për tre vitet e ardhshme, përveç në rrethana bindëse që prekin interesin e Australisë.

Zoti Gjokoviç, kampioni që synonte mbrojtjen e titullit, pritej ta zhvillonte ndeshjen hapëse në fillim të javës së ardhshme, në një përballje me serbin tjetër Miomir Kecmanoviç.

Ky rast ngjalli një debat të madh në botë mbi të drejtën e zgjedhjes për vaksinim, ngriti pikëpyetje mbi trajtimin e vizës së Gjokoviçit dhe është kthyer në një çështje të ndërlikuar për Kryeministrin Scott Morrison, i cili po bën fushatë për rizgjedhje.

Ylli i tenisit, një skeptik i vaksinës, ngjalli zemërim të gjerë në Australi kur njoftoi javën e kaluar se po udhëtonte drejt Melburnit për turneun “Australian Open”, pasi kishte siguruar një dokument që e përjashtonte nga rregulli se vizitorët që futen në Australi duhet të jenë të vaksinuar kundër COVID-19.

Pas mbërritjes, zyrtarët e Forcave Kufitare vendosën se dokumenti i Gjokoviçit është i pavlefshëm dhe ai u mbajt së bashku me azilkërkuesit e tjerë në një hotel paraburgimi të emigracionit për disa ditë.

Të hënën një gjykatë e lejoi atë të qëndronte në Australi. Vendimi thoshte se zyrtarët kufitarë ishin të paarsyeshëm në mënyrën se si e trajtuan intervistën e tij, në një proces shtatë-orësh në mes të natës.

Përpjekjet e Gjokoviçit nuk u ndihmuan nga deklarata e tij të pasakta lidhur me udhëtimet jashtë vendit në dy javët para se të shkonte në Australi. Po ashtu, ndërsa ishte i infektuar me COVID-19, më 18 dhjetor, ai nuk ishte vetë-izoluar, por kishte dhënë një intervistë dhe kishte realizuar një serë fotografish për një gazetë franceze.

Australia ka vedosur disa prej masave më të forta izoluese në botë, ka një shkallë vaksinimi prej 90 për qind mes të rriturve dhe po përjeton gati një milion raste të reja në dy javët e fundit pas përhapjes së variantit Omicron./VOA

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

spot_img