Qeveria shqiptare ka miratuar rregulla të reja për kufizimin e zhurmave në zonat bregdetare, me qëllim garantimin e qetësisë dhe kushteve më të mira për pushuesit gjatë sezonit turistik.
Sipas ndryshimeve të reja, niveli i zhurmës nuk duhet të kalojë 65 decibel nga mëngjesi deri në orën 20:00, ndërsa për intervalin deri në orën 23:00 kufiri maksimal do të jetë 45 decibel.
Ndryshimet u prezantuan në Lezhë nga ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, i cili i cilësoi këto masa si të domosdoshme për zonat turistike, ku sipas tij pushuesit kërkojnë jo vetëm argëtim, por edhe qetësi dhe kushte të përshtatshme pushimi.
Lamallari bëri të ditur se kontrollet në terren do të jenë të vazhdueshme dhe se mund të ketë edhe kundërshti nga biznese të caktuara, por theksoi se respektimi i kufijve të zhurmës është një standard i nevojshëm për zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit.
Kryetari i Bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu, e vlerësoi këtë nismë si pjesë të përpjekjeve për përmirësimin e cilësisë së sezonit turistik në zonë.
Gjatë vizitës në Lezhë, ministri Lamallari, i shoqëruar nga drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, zhvilloi një takim në Bashkinë e Lezhës, ku në fokus ishte forcimi i bashkëpunimit mes institucioneve dhe rritja e efikasitetit të kontrolleve në terren.
Masat e reja synojnë krijimin e një balance mes zhvillimit të aktiviteteve turistike dhe garantimit të një ambienti më të qetë e të sigurt për pushuesit dhe banorët e zonave bregdetare.
