Pas shumë debatesh dhe diskutimesh, Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka miratuar dje paketën fiskale. Kështu në drejtimin e kryetarit, Arben Pëllumbi, Komisioni për Veprimtarinë shqyrtoi në mbledhjen e djeshme tre projektligje në kuadër të paketës fiskale, përkatësisht projektligjin “Për akcizat në Shqipëri”, “Për taksat kombëtare” dhe “Për tatimin mbi vlerën e shtuar”. Gjatë diskutimit në komision, deputetët e mazhorancës, propozuan që produktet e gazit dhe të lëngëta që konsumohen nga familjarët të markohen, sikurse zbatohet markimi i naftës për peshkimin dhe bujqësinë, duke i lehtësuar familjarët nga tatimi i unifikuar 6 %. “Mos të jetë i taksuar gazi që përdoret nga familjarët. Edhe gazi duhet të markohet. Vendosja e taksës nuk ka ndonjë kontribut të madh tek buxheti i shtetit por ka kontribut direkt tek qytetarët. Lidhur me heqjen e rimbursimit për lëndët djegëse të industrisë do propozoj që kjo të jetë vetëm për vetëm për lëndët djegëse që importohen dhe jo për ato që prodhohen këtu. Industria e naftës përdor deri në 4% të lëndës djegëse që prodhon vetë dhe rritet kosto për industrinë me këtë ndryshim”, deklaroi deputeti i PS, Ismet Beqiraj. Ndërkohë edhe deputetët e opozitës u shprehën në mbështetje të dy amendamenteve të propozuara nga mazhoranca në projektligjin për akcizën. “Ne jemi kundër taksës për gazit, dhe mbështesim propozimin e Beqirajt, pasi do të rëndohej qytetari. Po ashtu jemi kundër heqjes së rimbursimit për industrinë e çimentos, sepse janë propozime racionale dhe të gjitha grupet e interesit nuk janë dëgjuar paraprakisht”, deklaroi deputeti i PD, Helidon Bushati. Por përkundër dakordësisë në komision, përfaqësuesit e Ministrisë së Financave hodhën poshtë propozimet. Në përfundim Komisioni i Veprimtarisë Prodhuese ka shqyrtuar dhe ka miratuar nen për nen tre projektligjet në kuadër të paketës fiskale, vetëm me votat e mazhorancës. Kjo do të thotë se me hyrjen në fuqi të ligjit, rritet çmimi i gazit dhe zerohet tatimi për pagat nën 40 mijë lekë.
Postime te ngjashme
Add A Comment
