Kryeministri Edi Rama u pyet nga gazetarët në konferencën për shtyp, në lidhje me pagesat që qeveria i bën kompanive të incineratorëve, edhe pse pronarët e tyre janë shpallur në kërkim.
Sipas Ramës qeveria është e detyruar që të zbatojë kontratat deri në ditën kur drejtësia do të flasë përfundimisht.
Kryeministri foli indirekt dhe për Lefter Kokën, apo bashkëpunëtorë të tjerë që mund të vihen nën hetim, duke thënë se do të hidhej në zjarr për ta, deri në ditën kur qëllimi do të ishte i njëjtë.
“Nuk është politikë e mirë për shqiptarët e varfër që gazetaria të bëjë propagandë me gjysmë të vërteta, pa iu referuar atyre normave ligjore që një qeveri ka detyrimin që ti zbatojë.
Për mua ministra, ish-ministra, jam bashëpunëtor që hidhem në zjarr, deri në ditën që zjarri është për të bërë punët e këtij vendi më mirë.
Nëse dikush tjetër kur unë hidhem në zjarr, kërkon të nxjerrë gështenja për vete, nuk është më puna ime. Për mua këto janë lajme për drejtësinë që ka filluar të funksionojë. Asgjë që ka të bëjë me aktet individuale, dhe me gjasën e abuzimeve individuale nuk cënon rëndësinë e atyre veprave, që janë shpëtim për jetët e atyre njerëzve që ju iu qani hallin. Janë vepra që do ti kthehen shtetit, dhe janë pronë e popullit shqiptar.
Janë marrëdhënie kontraktuale që duhet të zbatohen derisa të flasë drejtësia”, tha Rama.
