Kryeministri Rama ka kërkuar nga zv.kryeministri Erion Braçe, por dhe deputetët, që në reformën në administratën publike të qëndrojnë specialistët, pavarësisht se kush i ka emëruar dhe në cilën parti besojnë.
Në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar Socialist, ku i pranishëm ka qenë dhe Kryeministri Rama, zv.kryeministri Braçe, i cili dy muaj e gjysmë pas marrjes së detyrës ka informuar deputetët për gjendjen, në të cilën ndodhet administrata publike. Numri dy i qeverisë ka vërejtur shumë raste, kur punonjës të administratës nuk dinë se cila është puna e tyre, pa pasur një përshkrim të detyrës që duhet të kryejnë, kompetencat dhe detyrat që duhet të përmbushin.
Sipas tij, problematike janë shumë emërime të bëra gjatë mandatit të parë qeverisës, kur PS-ja ishte në koalicion me Lëvizjen Socialiste për Integrim. Zv.kryeministri u ka kërkuar dhe deputetëve të PS-së që të sjellin informacion për performancën e drejtuesve lokalë të administratës, por dhe punonjësve të veçantë nëse raportohen problematika në shërbim nga qytetarët, meqenëse ata ndodhen më afër qytetarëve. Pas Braçes, fjalën e ka marrë Kryeministri Rama, i cili është shprehur se në administratë duhet të punojnë specialistët më të mirë, pavarësisht bindjeve të tyre politike.
Sipas tij, çdo punonjës i administratës publike duhet të dijë mirë se çfarë pune bën dhe çfarë detyrash realizon. Po ashtu, ai ka kërkuar përputhshmëri të diplomës së punonjësit të administratës me vendin e punës. Në të kundërt, është shprehur Rama, ata duhet të lënë punën, qofshin të punësuar nga Partia Socialiste.
Kreu i PS-së ka kërkuar që të bëhet kujdes me punësimet në administratën publike, ku prioritet t’u jepet dhe studentëve të ekselencës në bashkëpunim me Departamentin e Administratës Publike. Porosia e kreut të qeverisë ka qenë vazhdimi i normalitetit të jetës parlamentare, pavarësisht deklaratave të opozitës së dorëhequr.
Në seancën që do të zhvillohet të enjten, Kryeministri Rama ka kërkuar që diskutimet të bazohen te rendi i ditës dhe të mos bëhet asnjë kundërpërgjigje për protestat që zhvillohen jashtë godinës së Parlamentit. “Fokusi i punës së socialistëve duhet të jetë edhe fitorja në zgjedhjet e 30 qershorit”, i ka këshilluar kryetari i qeverisë deputetët e mazhorancës.
KRYESIA
Kryetari i PS-së, Edi Rama, thirri dje Kryesinë e kësaj partie në mbledhjen e saj javore të së hënës. Ka qenë diskutimi i draftit të Reformës Zgjedhore, ai që ka zënë axhendën e kësaj mbledhjeje. Drafti i hartuar nga dy ekspertët, dy ish-ministrat e Drejtësisë së Partisë Demokratike, Ilir Rusmali dhe Viktor Gumi, nën konsulencën e ekspertëve gjermanë të vënë në dispozicion nga delegacioni i Bashkimit Europian në Tiranë, do të nisë të diskutohet në tryeza publike dhe me ekspertë të fushës.
Sekretari elektoral në PS, Damian Gjiknuri, ka nënvizuar faktin se kërkesa e opozitës, siç është eliminimi i fenomenit të shitblerjes së votës, është përfshirë për trajtim në Kodin e ri Zgjedhor, ku propozohet ashpërsim i Kodit Penal për rastet të tilla gjatë zgjedhjeve.
Po ashtu, me rëndësi janë vlerësuar dhe pikat ku trajtohet financimi i partive politike, një nga rekomandimet e OSBEODIHR-it nga zgjedhjet e kaluara. Kryeministri Rama, si në mbledhjen e Kryesisë ashtu dhe të Grupit Parlamentar, ka falënderuar sekretarët që u morën direkt me organizimin e Kongresit dhe të tubimit të Tiranës “Bashkia që quam”.
