Rita Petro është njohur si një shkrimtare që provokon me anë të shkrimeve të saj, me poezinë e së fundmi edhe me romanin e saj “Lindur së Prapthi”. Për këtë roman ajo ka folur këtë enjte në emisionin “Rudina” në Tv Klan duke ndarë disa detaje që nxisin kureshtjen për ta lexuar.
Ajo po ashtu ka folur edhe për jetën e saj, se si u njoh me atë që e ka cilësuar fatin më të madh të jetës, të cilin e pati në krah jo vetëm si të dashurin e jetës, por edhe si partner në biznes, Latifin.
E teksa rikthej në kujtimet e ëmbla, ajo ka treguar se në ka gjë që i mungon tani, janë pikërisht ato darka ku ata si çift uleshin përballë njëri-tjetrit me një gotë vere në dorë.
Rita Petro: Kemi lëvizur, kemi shkuar në hotele vetëm që të prishnim monotoninë. Sidomos unë. Të thuash hë ç’kërkon tani? Dua atë darkën romantike të dikurshme.
Rudina Magjistari: Të mungon tani?
Rita Petro: Jashtë mase, njeriu me dhimbjen mësohet, por me mallin nuk mësohet. Nuk mësohet. Nuk mësohet asnjëherë, sepse ishte vërtetë një lidhje e jashtëzakonshme. Unë jetën e kam me thënë të drejtën e kam shumë të mbushur, jo vetëm me punën, por me njerëzit. Unë di ta mbaj miqësinë dhe miqtë e mikeshat më duan. Më duan shumë.
Rita Petro ka treguar se humbja e dashurisë së saj ka ndodhur në kohën e pandemisë dhe ishte diçka e papritur e gati e pabesueshme.
Rudina Magjistari: Ishte totalisht e papritur?
Rita Petro: Ishte e papritur se ishte Covid-i.
Rudina Magjistari: Ai u prek nga Covid-i?
Rita Petro: Po dhe gjithmonë e them se as ia preka dorën, as e pashë, sepse ndodhi edhe në Maqedoni. Ishte si një vdekje që nuk do ta besosh.
Megjithatë ajo ka treguar se pavarësisht dhimbjes që ka ndier dhe pse nuk kishte kaluar shumë kohë nga vdekja e tij ajo e ka festuar Vitin e Ri, pasi sipas saj, jeta duhet shijuar deri në momentin e fundit, ndërsa vdekja është diçka njerëzore.