Qytetarët të cilët vendosin që të përdorin taksi në kryeqytet do të paguajnë më shumë. Sipas vendimit të marrë dje në Këshillin Bashkiak, nisja nuk do të jetë më në nga 250 lekë, por 300, ndërsa kilometrat e përshkuar varen nga zona.
Të trija të rritura, krahasuar me vitin 2013 kur u bë ndryshimi i fundit i tarifës për shërbimin taksi.
“Politika e ndjekur ka nxitur organizimin e strukturave të shërbimit taksi, të cilat kanë siguruar një shërbim të shpejtë, cilësor dhe të sigurt, si edhe një organizim në sistemin e kontrolluar të tarifimit, që është i prirur të kontrollojë shërbimin ndaj klientit, nëpërmjet respektimit të çmimit të shërbimit të vendosur”, argumentohet rritja e çmimit që thuhet të ketë ardhur me kërkesë të përfaqësuesve të subjektit të shërbimit taksi, të cilët kanë kërkuar të reflektohet në çmim edhe për shkak të efekteve ekonomike ndër vite që shkakton inflacioni.

