FIFA ka vendosur të nxjerrë në shitje më shumë bileta për ndeshjet e Kupës së Botës, pas kritikave të shumta nga tifozët lidhur me rritjen e çmimeve dhe krijimin e kategorive të reja më të shtrenjta.
Sipas njoftimit të FIFA-s, të mërkurën në orën 11:00 (EDT), do të hapet një raund i ri shitjesh për 104 ndeshjet e turneut, duke përfshirë biletat në kategoritë 1, 2 dhe 3, si dhe një kategori të re më të shtrenjtë “front category”.
Kjo kategori e re ka shkaktuar pakënaqësi te tifozët, të cilët kanë deklaruar në rrjete sociale se besonin që kishin blerë vende më të mira brenda kategorive ekzistuese, por më pas u përballën me pozicionim jo të favorshme në stadium.
Në shitjet fillestare të dhjetorit, çmimet e biletave varionin nga rreth 140 dollarë për kategorinë më të lirë në fazat e para, deri në 8,680 dollarë për finalen. Kur shitjet u rihapën më 1 prill, çmimet arritën deri në 10,990 dollarë për disa bileta.
FIFA nuk ka dhënë koment për shtimin e kategorive të reja, pavarësisht kërkesës së mediave më 9 prill.
Ndërkohë, raportimet e mediave tregojnë se shitjet e biletave nuk po ecin me ritmin e pritur për disa ndeshje. Për shembull, për ndeshjen hapëse të SHBA-ve kundër Paraguait më 12 qershor në Los Anxhelos, janë shitur rreth 40,934 bileta nga afro 69,650 vende të stadiumit SoFi. Po ashtu, për ndeshjen Iran–Zelandë e Re janë shitur rreth 50,661 bileta.
FIFA kishte vendosur më herët çmime të larta edhe për ndeshjet e përmendura, duke filluar nga 140 dollarë për disa kategori deri në mbi 2,700 dollarë për vende më të shtrenjta, gjë që ka rritur debatet për aksesueshmërinë e turneut për tifozët e zakonshëm.
