Pandemia e koronavirusit përveç pasojave shëndetësore ka sjellë dhe pasoja të shumta ekonomike, dhe kjo e fundit pritet të ketë impakt në shumë sektorë. Këtu nuk shpëton as muzika, pasi anulimi i koncerteve sigurisht që do të thotë më pak para.
Ndonëse pagesat që marrin zakonisht artistët nuk janë transparente, “Gazeta Express” ka bërë disa kalkulime mbi ato që thuhen nga sezoni në sezon.
Tayna parashihet të mos arkëtojë nga koncertet një shumë prej rreth gjysmë milioni eurosh, duke llogaritur pjesën e pagesave të stafit dhe shpenzimeve tjera.
Rreth 400,000 euro mund të humbasë edhe Ledri Vula, një prej artistëve më të paguar e më të kërkuar.
Capital T, Butrint Imeri e Dhurata Dora, Noizy e Meda, bazuar në shifrat e publikuara prej rreth 6,000 eurosh për një koncert, supozohet se mund të mos marrin rreth 300,000 euro këtë verë.
Rreth 250,000 euro mund të humbasë edhe lideri i Babastars, Getoar Selimi.
Me çmime për dasma e mbrëmje muzikore nga 4,000 deri 5,000 euro, humbjet potenciale përllogariten në rreth 350,000 euro për disa nga emrat më të njohur të muzikës popullore e folklorike si Sinan Vllasaliu, Ramadan Krasniqi, Labinot Tahiri, etj.
Ndonëse transparenca për shifra të sakta mungon, kjo është një pasqyrë e përafërt për fitimet në koncerte të cilat këtë vit janë vënë në pikëpyetje duke u varur tërësisht nga trendi i epidemisë që do t’i diktojë edhe masat në fuqi.
