Maturantët që do t’i nënshtrohen provimeve të maturës shtetërore 2019, për sesionin e dytë tashmë mund të njihen me datat dhe organizimin e testimeve që do të kryejnë. “Gazeta Shqiptare” zbardh sot udhëzimin e Ministrisë së Arsimit në të cilin bëhen publike edhe katër kategoritë e maturantëve që iu lind e drejta për të hyrë në këtë sezon provimesh.
Datat e provimeve
“Lëndët dhe datat për provimet e maturës shtetërore 2019, sesioni i dytë të jenë: a) Gjuhë e huaj 27 gusht 2019; b) Gjuhë shqipe dhe letërsi 30 gusht 2019; c) Matematikë 3 shtator 2019; d) Provimi me zgjedhje 6 shtator 2019”,-thuhet në udhëzim. Ndërkohë në këtë të fundit bëhet me dije se administrimi i provimeve të maturës shtetërore 2019, bazohet në rregulloren e maturës shtetërore 2019, miratuar me urdhrin nr. 780, datë 23.11.2018, të ministrit të Arsimit, Sportit dhe Rinisë.
Kush do të testohet?
Në provimet e maturës shtetërore 2019, në sesionin e dytë do të marrin pjesë: maturantët/kandidatët që rezultojnë mbetës në një ose më shumë provime të maturës shtetërore 2019, sesioni i parë; maturantët që rezultojnë mbetës në një ose dy lëndë në vitin shkollor 2018-2019 dhe i shlyejnë provimet shkollore brenda datës 22 gusht 2019; kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2018, por që nuk kanë shlyer detyrimet e maturës shtetërore; kandidatët që kanë përfunduar shkollën e mesme jashtë vendit dhe kanë të njësuar dokumentet shkollore nga QSHA-ja dhe kanë detyrime të maturës shtetërore. “Kandidatët e përcaktuar në pikën 4, germa “c” dhe “d”, të regjistrohen në shkollën ku kanë përfunduar arsimin e mesëm ose në shkollën që u cakton institucioni arsimor vendor përgjegjës për arsimin parauniversitar në vendbanimin e tyre. Maturantët/kandidatët e përcaktuar në pikën 4, germat “b”, “c” dhe “d”, të plotësojnë formularin AlZ për dhënien e provimeve të sesionit të dytë të maturës shtetërore, nëse nuk e kanë plotësuar atë në sesionin e parë. Këta kandidatë të plotësojnë formularin A1Z në datat 21-23 gusht 2019″,-thuhet në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit.