Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë vendosur të dërgojnë në fillim të vitit të ardhshëm në Shqipëri 8 mijë trupa ushtarake, që do të dislokohen në disa reparte të vendit.
Lajmin e ka bërë të ditur vetë ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka, në komisionin Parlamentar të Sigurisë.
“Dua të ndaj me ju disa detaje lidhur me një nga stërvitjet më të mëdha, që është zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri. Stërvitja Defender-2021, një stërvitje dypalëshe me SHBA;është e para e këtij lloji në vendin tonë dhe do të marrim pjesë mbi 8.000 trupa amerikane, që do të dislokohen në disa rajone të vendit dhe në disa reparte të Forcave tona të Armatosura. Për më shumë detaje,nëse jeni të interesuar, kam në krah dhe shefin e SHPFA, i cili mund të ndalet dhe më teknikisht nga ana operacionale”.
Stërvitja dypalëshe ndërmjet SHBA dhe Shqipërisë ishte e parashikuar që të zhvillohej këtë vit por është shtyrë për 2021-shin. Kjo sipas gjasave për çështjen e pandemisë së Covid 19. Por vetë prezenca e trupave amerikane në një masë të tillë dhe logjika politike e një manovre të rëndësishme të Pentagonit, i jep një shkallë më të lartë sigurie vendit, por edhe e bën imun nga një përpjekje për destabilizim.