Kandidati për kryetar të PD, Agron Shehaj në një intervistë televizive foli për humbjen e opozitës në zgjedhjet e 25 prillit dhe sqaroi arsyet e kandidimit të tij.
Shehaj tha se kandidimi për kryetar të PD nuk ka të bëjë me ambicien e tij, por siç thekson ai, me bindjen se PD duhet të ndryshojë, për të fituar zgjedhjet e ardhshme.
Sipas tij, Basha duhet të kishte dhënë dorëheqjen pas humbjes së 25 prillit dhe të mos kandidonte më për kryetar të PD, ndërsa shtoi se nuk mendon se do të përjashtohet nga grupi apo të ndëshkohet me ndonjë masë tjetër, nëse nuk e fiton garën e 13 qershorit.
Pjesë nga intervista:
Sfidë apo tradhti ndaj Bashës kandidimi juaj?
As sfidë, as tradhti ndaj Bashës, por bindje se nëse PD nuk ka ndryshim, nuk mund të shkojë në pushtet. Në këtë mënyrë, PD e ka të pamundur të mundë Edi Ramën. Nëse nuk ka garë, nuk ka konkurrencë, PD e ka të pamundur të fitojë zgjedhjet e ardhshme. Unë nuk kam asnjë qejfmbetje me kryetarin e PD, thjesht kam një bindje dhe në bazë të saj veproj. Nuk e bëj as për inat, as për tradhti. Jam futur në politikë, sepse mendoj që Shqipëria duhet ndryshuar, i duhet dhënë fund tranzicionit 30-vjecar, dhe për këtë duhet reformuar PD. PO nuk bëmë PD një parti perëndimore, nuk do ta bëjmë dot kurrë Shqipërinë perëndimore.
Keni folur me Bashën për kandidimin, po divergjenca?
Unë kam shprehur gjithmonë mendimin tim dhe në përgjithësi ai është dëgjuar. Kam pasur një raport konstruktiv me Bashën, ndërsa tani nuk kam më, sepse tani po konkurrojmë në një garë. I kemi uruar njëri-tjetrit suksese në garë, por nuk kemi pasur komunikim. Në deklaratat e mia nuk ka pasur asnjë aludim ndaj Bashës, por unë thjesht mendoj si duhet të jetë kryetari i partisë. Unë nuk mendoj që Basha është i korruptuar, por mendoj që PD duhet të jetë e besueshme për qytetarët, sepse këta të fundit votojnë, nëse besojnë.
Pse Basha nuk mund ta çojë PD në fitore?
Pas vendimeve që janë marrë dhe pas drejtimit të lidershipit të Bashës, ne arritëm në humbje. Ne humbëm zgjedhjet e 25 prillit dhe vendimet janë marrë kryesisht nga lidershipi i PD, nuk ka asnjë shenjë për reflektim dhe korrigjim të gabimeve që janë bërë.
Cili vendim i Bashës nuk ju qëndron korrekt?
Ne jemi përballë faktit që kemi humbur zgjedhjet, që do të thotë se diku kemi gabuar. Vendimet janë marrë nga lidershipi, që do të thotë se ai ka gabuar. Duhet bërë një analizë në PD, që të shihet se ku u gabua. Ka disa gabime që janë të qarta, siç ishte djegia e mandateve, mos hyrja në zgjedhje. Gabimet analizohen në PD dhe merren masa që PD të forcohet dhe të bëhet më e besueshme për të fituar zgjedhjet e ardhshme.
Mendoni se Basha duhet të kishte dhënë dorëheqjen?
Absolutisht që duhet të kishte dhënë dorëheqjen, madje as të mos rikandidonte. Dorëheqja ka kuptim, kur nuk rikandidon më.
Nëse më 13 qershor ju nuk fitoni dhe Basha do jetë ai që do e drejtojë PD edhe për 4 vite, keni frikë se mund të përjashtoheni nga grupi?
Nuk besoj. Në momentin që i futem kësaj gare, i marr parasysh dhe anët negative që mund të sjellë, por nuk besoj se do të kem përjashtim apo marrje masash. Unë mendoj që gara e ndihmon PD. Të mendosh që kandidimi im dëmton PD, është qesharake, nuk bën sens. I bie që në të gjitha partitë perëndimore, ku ka garë të vërtetë, ai që nuk fiton, ka pasur qëllim të dëmtojë partinë.
Si ju përgjigjeni zërave se mund të jetë lojë kulisash?
Unë do bëj fushatën time si kandidat për kryetar të PD. Do them ç’kam për të thënë, çfarë mendoj, kështu që nuk ndryshoj për akuza.
