Trajneri i Kukësit, Orges Shehi, beson se rifillimi pas dy muajsh ndërprerje ndryshon gjithçcka në balancën në kampionat. Ndaj në “Ora Sport” ai shpjegoi se tashmë ishte i qetë pasi kishte shumë lojtarë kryesorë që ishin kthyer pas dëmtimeve.
“Futbolli është i vështirë, nuk ka skuadra të vogla, të gjitha janë të vështira po nuk pate mobilizim. Nuk kemi luksin të mbivlerësojmë skuadrën, duhet fitore për të qenë pranë objektivave ndaj edhe ndaj Luftëtarit është ndeshje e vështirë. E dimë që Limaj është lojtar i rëndësishëm por ndeshjet e para nuk besoj se do të jetë pjesë e skuadrës.
Nuk mendoj se është çështje kalendari, ndoshta këtë javë është disi e lehtë në letër e në fushë gjërat bëhen të vështira. E ritheksoj që është ndeshje e rëndësishme dhe Luftëtari është skuadër e fortë, sidomos pas dy muajve pushim nuk mendoj se ka ndeshje të lehta si për ne si për kundërshtarin.
Nuk bëj balanca për ekipet e tjera, jam I fokusuar te skuadra ime se kam 10 finale para.
Jemi në një situatë të pajetuar më parë, fazë e pajetuar kampionati, eksperiencë e re. Do të jetë e vështirë nga dëmtimet, do të jenë prezente, edhe në fomën më të mirë çdo tre ditë është e vështirë në temperatura ekstreme, nuk do të jetë si më parë. Unë personalisht si trajner i Kukësit mendoj se fillon një kampionat për ne, kemi 10 javë dhe kërkoj 10 fitore nga skuadra. Ky është kampionat i ri për ne.
E quaj veten te avantazhuar, e kam drejtuar skuadrën 10 ditë në dy ndeshje dhe nuk e kisha të plotë. Përvec Limajt më kthehet Shkurtaj, Musta, Musolli dhe Abazaj nuk ishte atëherë në formën më të mirë. Tani kam skuadrën e plotë, do të mundohem të kaloj idetë e mia dhe mendoj se ne në krahasim me veten tonë, jemi më të avantazhuar, se jemi të plotë”, tha Shehi.