Shërbimi Informativ Shtetëror ka publikuar sot raportin mbi situatën me të cilën u përball Shqipëria përgjatë vitit 2020, me në fokus pandeminë e koronavirusit. Në raport, SHISH thekson mes të tjerash se agjentë të huaj kanë shfrytëzuar pandeminë e COVID-19 për të grumbulluar informacione në Shqipëri.
“Aktorët kibernetikë shtetërorë e jo-shtetërorë që veprojnë për llogari të tyre, kanë shfrytëzuar pandeminë e COVID-19 edhe për të grumbulluar inteligjencë, me synim influencimin e opinionit publik sipas interesave të tyre. Shërbimet e inteligjencës së këtyre vendeve u angazhuan në operacione informative, grumbullim informacioni për synime konkurruese gjeostrategjike. Kriminelët kibernetikë dhe shtete ose aktorë kibernetikë të mbështetur nga shtete, përdorën krizën, duke shfrytëzuar frikën e popullatës dhe nevojën për informacion, për të arritur qëllimet e tyre, duke përdorur fushata që lidhen me COVID-19. Puna e shtuar online e institucioneve shtetërore por edhe private, për shkak të situatës, dhe niveli i sigurisë që shpesh është më i ulët për shkak edhe të kohës së vogël në dispozicion për të përforcuar masat mbrojtëse, mundësuan vektorë shtesë sulmesh. Aktorët jo-shtetërorë dhe hakera kriminalë e shfrytëzuan situatën për aktivitete përfitimi”, thuhet në raportin e SHISH.
Më tej, SHISH shprehet se theksi ka qenë te propaganda, për të ulur efektshmërinë e masave anti-Covid, me qëllim për të bërë vendin më vulnerabil, ndërsa kjo strategji po përdoret edhe për vaksinat.
“Situata e COVID-19 u shoqërua me fushata agresive dezinformimi dhe keqinformimi, duke ndikuar negativisht në perceptimin e rrezikshmërisë reale të pandemisë”, thuhet në raportin e SHISH.
Raporti i plotë i SHISH:
“Situata e shkaktuar nga COVID-19 u shoqërua me fushata agresive dezinformimi dhe keqinformimi, të cilat ndikuan negativisht në përgjigjen reaguese dhe perceptimin e publikut mbi rrezikshmërinë reale të pandemisë.
Aktorë shtetërorë jo-perëndimorë dhe ata jo-shtetërorë që veprojnë për llogari të tyre, u angazhuan në fushata dezinformacioni dhe në lidhje me COVID-19, duke rënduar krizën dhe minuar përpjekjet për tejkalimin e saj, përfshi supozime se Perëndimi e ka krijuar virusin, se virusi është një armë biologjike, se BE-ja po dështon në menaxhimin e pandemisë, institucionet euro-atlantike nuk kanë kapacitete reaguese kolektive, se do të shpërbëhen nën këtë presion, etj. Mediat online dhe rrjetet sociale u bënë përcjellëse te publiku i teorive konspirative dhe raportimeve false.
Përveç përdorimit të aseteve të tyre mediatike, apo mediave të financuara e orientuara prej tyre për të drejtuar fushata të shënjestruara dezinformacioni, edhe shpërndarja jo e qëllimtë e informacionit fals dhe teorive konspirative në hapësirën online, ndenja e pasigurisë të publikut dhe nevojës për përgjigje lidhur me COVID-19, i favorizoi për të përhapur narrativat e tyre, propaganduar superioritetin dhe shënjestruar sistemet demokratike si të dështuara.
Në rajon dhe vendin tonë, propaganda dhe dezinformimi përbëjnë një ndër elementët e fushatës hibride që përdorin aktorët jo-perëndimorë në përballjen e tyre gjeopolitike me Perëndimin për arritjen e objektivave strategjike për t’iu kundërvënë dhe penguar proceset integruese euro-atlantike në rajon. Fokusi propagandues në hapësirën online u vu në problematikat historike: keqtrajtimi i supozuar i vendeve të rajonit nga faktori perëndimor, duke pretenduar përdorimin e standardeve të dyfishta kur bëhet fjalë për zgjidhjen e çështjeve specifike në vendet e Ballkanit Perëndimor; hezitimi i supozuar i Perëndimit për të shpejtuar pranimin në BE të vendeve të BP; dobësitë e brendshme, veçanërisht në vendet pro-perëndimore; përshkrimi i faktorit shqiptar në rajon si kërcënim për rajonin dhe rolin e shqiptarëve si nxitës të politikave nacionaliste për të ashtuquajturën “Shqipëria e Madhe”. Paralelisht me objektivin për të penguar integrimin euro-atlantik, kjo propagandë synoi të promovonte imazhin dhe interesat e tyre, të inkurajonte ndjenjat kundër NATO-s dhe të nxiste tensione ndëretnike me qëllim dobësimin e kohezionit në rajon.
