Vijon megaoperacioni policor i koduar “Tempulli”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave.
Si rezultat i patrullimeve përreth çdo shkolle të qarkut, për të garantuar zbatimin e Paketës për Sigurinë në këto ambiente, si dhe me mbështetjen e inteligjencës policore, evidentohet dhe goditet një tjetër rast i shpërndarjes së lëndëve narkotike, në afërsi të shkollave.
Bashkëpunëtorë për shitjen e dozave cannabis sativa, në afërsi të një gjimnazi, vihen në pranga 2 shtetas.Njëri prej të arrestuarve, 15 vjeç, i proceduar disa herë më parë, në gjendje të lirë, për shkak të moshës, për të njëjtën veprimtari kriminale.
Sekuestrohet lëndë narkotike cannabis sativa, në doza dhe në sasi.
Si rezultat i patrullimeve me shërbime shtesë, në afërsi të çdo shkolle në territorin e qarkut, me qëllim përmbushjen e objektivave madhorë, zbatimin e Paketës për Sigurinë në shkolla dhe parandalimin e depërtimit të krimeve, në këto ambiente, specialistët për Hetimin e Krimeve të DVP Fier, shërbimet e forcave të posaçme Operacionale dhe “Shqiponja” dhe shërbimet e Komisariatit të Policisë Fier, në vijim të megaoperacionit policor të koduar “Tempulli”, goditën një tjetër rast të shpërndarjes së lëndëve narkotike, në afërsi të këtyre ambienteve.
