Riatdhesimi i shqiptarëve që kanë shkelur rregullat e qëndrimit në BE apo kanë kërkuar azil vijon, teksa 104 shqiptarë janë rikthyer përmes aeroportit të Rinasit në Shqipëri.
Bëhet fjalë për 84 shqiptarë të kthyer nga Gjermania, 15 nga Franca dhe 5 nga Belgjika.
“Mesditën e sotme nëpërmjet dy charterave nga Franca dhe Gjermania, në kuadër të fluturimit të përbashkët evropian organizuar nga Franca, Belgjika dhe Gjermania në bashkëpunim me FRONTEX, si dhe me mbështetjen e eskortës shqiptare, u riatdhesuan 104 shtetas shqiptarë, nga të cilët: 15 shtetas nga Franca, 5 nga Belgjika dhe 84 nga Gjermania”, thotë Policia e Shtetit.
Sipas policisë, operacionet e riatdhesimit do vijojnë edhe në javët e ardhshme duke apeluar edhe një herë të gjithë shtetasit shqiptarë që udhëtojnë për në vendet e BE-së, të respektojnë rregullat e lëvizjes në hapësirën Schengen, si dhe të mos provojnë të kërkojnë azil, pasi shanset për ta fituar janë zero.
Në pikat e kalimit kufitar, Policia Kufitare do vijojë të aplikojë masat shtesë të marra për parandalimin e azilkërkimit, duke vijuar me kontrollet rigoroze në drejtim të verifikimit të dokumentacionit dhe plotësimit të kushteve për të udhëtuar në vendet e BE-së, si dhe të kontrollit më të rreptë të kufirit jeshil.