Mediat dhe websitet ndërkombëtare vijojnë ta sugjerojnë Shqipërinë si një destinacion që duhet vizituar për 2026, nga Veriu në Jug, për plazhet, historinë dhe natyrën. E radhës është “The Wom Travel”, në variantin italisht shkruan në kryetitull për vendin tonë: Plazhet dhe deti i Shqipërisë: një udhëzues i vitit 2026 për më të bukurat në veri dhe në jug.
Bregdeti shqiptar, i konsideruar shpesh si “Karaibet e Europës”, është destinacioni i shkëlqyer veror, ku mund të shijoni plazhe të mrekullueshme, të pastra, me një atmosferë autentike dhe me çmime të përballueshme. “The Wom Travel”, ndër të tjera, shkruan në artikull se mikpritja, kuzhina e shijshme dhe përzierja e historisë së lashtë dhe bukurisë natyrore e bën Shqipërinë një destinacion magjepsës.
Shqipëria është ende një perlë që pret të zbulohet, pavarësisht vendndodhjes së lakmueshme të 363 kilometrave të saj bregdetare, të lagura nga Deti Adriatik, me plazhet e tij me rërë, perfekte për familjet, dhe Deti Jon, i famshëm për ujërat e tij kristalore dhe peizazhet mahnitëse të Rivierës shqiptare.
“The Wom Travel” shkruan se zgjedhja e bregdetit varet nga lloji i pushimeve që po kërkoni. Bregu i Adriatikut, i cili shtrihet nga kufiri me Malin e Zi deri në Vlorë, karakterizohet nga plazhe të gjata me rërë të artë dhe ujëra të cekëta, ideale për familjet me fëmijë.
Ndërsa, sapo të kaloni Qafën e Llogorasë, hapet peizazhi spektakolar i Rivierës Shqiptare në bregdetin Jon. Ky segment, nga Vlora deri në kufirin me Greqinë, ka një sërë gjirish të izoluara me plazhe të bukura. Destinacionet që duhet të vizitohen përfshijnë Dhërmiun, Himarën, Borshin, Sarandën dhe Ksamilin, shkruan në artikullin italisht “The Wom Travel”.
Ndërsa Sarandën e konsideron si kryeqytetin e Rivierës Shqiptare, duke publikuar edhe hartën e plazheve më të bukura të vendit tonë, përfshirë edhe bregdetin në Palasë.
Koha më e mirë për pushime në plazh në Shqipëri është nga maji deri në shtator. Për të shmangur turmat dhe çmimet më të larta, qershori dhe shtatori mbeten ideale, shkruan në artikullin italisht “The Wom Travel”.
