Situata politike në Shqipëri vijon të mbetet e tensionuar teksa politikanë dhe opinionistë nuk përjashtojnë mundësinë për një konflikt të mundshëm civil. Në zona të ndryshme, që administrohen nga bashkitë e djathta, ka pasur tensione e përplasje mes mbështetësve të opozitës dhe policisë, për sa i përket lirimit të ambienteve të KZAZ-ve.
Bashkitë i referohen dekretit të Presidentit Meta, ndërsa policia zbaton urdhrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Ky i fundit e hodhi poshtë dekretin e Presidentit dhe pse është botuar në Fletoren Zyrtare.
Vetë kreu i shtetit Ilir Meta teksa shpalli vendimin e tij për anulimin e zgjedhjeve të 30 qershorit tha se vendi është në rrezik . “Ekziston rreziku që vendi të shkojë drejt përshkallëzimit të pasojave të pakontrollueshme. E konsideroj këtë moment si moment serioz për paqen në vend”, është shprehur kreu i shtetit gjatë Konferencës për shtyp.
Lexo edhe- Anulimi i zgjedhjeve, Meta: Vendi në rrezik, situata është…
Por Shqipëria është një vend anëtar i NATO-s, dhe siguria e saj është thelbësore jo vetëm për vendin, por dhe rajonin e më gjerë.
Tirananews.al ka kontaktuar me Departamentit e Komunikimit të NATO-s për situatën aktuale në Shqipëri. Përgjigja e tyre zyrtare ishte pikërisht deklarata e Stoltenberg në Tiranë, më 2 qershor, kohë në të cilën Meta nuk kishte shpallur ende vendimin për anulimin e zgjedhjeve.
“Ju referoj në deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s në konferencën e tij të fundit të përbashkët për shtyp me Kryeministrin shqiptar. Këtu: “NATO është një Aleancë e demokracive. Në demokraci gjithmonë do të ketë dallime dhe debate. Kjo nuk është një dobësi. Ajo është në zemër të asaj që i bën demokracitë tona të forta. Por dhuna politike bie ndesh me vlerat tona demokratike. Është absolutisht e papranueshme. Prandaj u bëj thirrje të gjithë aktorëve politikë të sillen me përgjegjësi dhe me përmbajtje. Dhe për të treguar konsensusin politik të nevojshëm për integrimin e vazhdueshëm Euro-Atlantik; dhe për të zgjidhur çdo ndryshim përmes dialogut dhe proceseve të vendosura politike. Sepse kjo kontribuon për një të ardhme më të mirë për popullin e Shqipërisë dhe për të gjithë rajonin “. Këtu është lidhja me transkriptin e plotë të konferencës për shtyp të cituar: https://www.nato.int/cps/en/natohq /opinions_166438.htm?selectedLocale=en “, është përgjigja zyrtare e Departamentit të Komunikimit të NATO-s.
Dhe 9 ditë na ndajnë nga zgjedhjet e 30 qershorit, kur maxhoranca është e vendosur në zhvillimin e tyre, ndërsa opozita këmbëngul në moslejimin e tyre. Ndërkohë sot në Tiranë opozita do të mbajë protestën e nëntë kombëtare.
