Shqipëria do të luajë ditën e sotmë në orën 15:00, ndeshjen e tretë në grupet e Ligës së Kombeve përballë Kazakistanit në transfertë. Kuqezinjtë vijnë në këtë sfidë me shumë mungesa mes dëmtimeve, pezullimeve dhe si shkak i koronavirusit, apo edhe si zgjedhje teknike e trajnerit Edi Reja.
Kështu, mungojnë emra të rëndësishëm të kombëtares si Strakosha, Gjasula, Hysaj, Roshi, Balaj, Cikalleshi, Sadiku. Gjithsesi, objektivi në fushë mbetet i njëjti, tre pikët, pasi objektivi është të fitohet grupi, në të cilin bëjnë pjesë edhe Bjellorusia me Lituaninë. Ndërkaq, në lidhje me formacionin, Reja do të mbetet besnik i 3-5-2.
Në portë do të jetë Berisha, mbrojtja do të përbëhet nga Gjimshiti, Dermaku dhe Kumbulla në debutimin e tij. Debutim që pritet të vijë edhe për Albi Dokën e Endri Çekiçin, të cilët do të luajnë në mesfushë së bashku me Abrashin, Baren dhe Lenjanin. Ndërkohë, detyrën për të finalizuar aksionet e kanë dyshja Broja-Manaj.