I pranishëm këtë të martë në Komisionin e Sigurisë, ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi ka prezantuar projektligjin për marrëveshjen për anëtarësimin në Mekanizimin Evropian të Mbrojtjes Civile. Ministri Peleshi ka deklaruar se viti 2023 për të është viti i Mbrojtjes Civile teksa ka shtuar se kemi disa ngjarje të mëdha që është anëtarësimi në këtë mekanizëm dhe më pas ratifikimi i kontratës nga qeveria italiane që sipas Peleshit do të mbështesë të gjithë sistemin dhe përballimin e emergjencave në Shqipëri.
“Projekligji i dytë ka të bëjë për marrëveshjen për anëtarësimin në Mekanizimin Evropian të Mbrojtjes Civile. Ai është i vendeve anëtare të BE-së, por i hapur edhe për vendet e tjera me kushtin që ato të plotësojnë të gjitha kriteret e anëtarësimit njësoj si një vend i Bashkimit Europian.
Sot që flasim kemi marrë miratimin e anëtarësimit në Mekanizmin Evropian të Mbrojtjes Civile. Komisioneri për Mbrojtjen Civile ka qenë 2 herë në Shqipëria, kemi bërë publike firmosjen e kontratës me të. Është si të thuash një copëz integrimi i Shqipërisë në BE. Një nga stukuarat që është anëtarësuar në BE është struktura e Mbrojtjes Civile dhe ky është një lajm i jashtëzakonshëm për Shqipërinë.
Viti 2023, për mua është viti i Mbrojtjes Civile në Shqipëri sepse kemi disa ngjarje të mëdha. Ngjarja më e madhe është anëtarësimi në këtë mekanizëm dhe më pas në vijim do të kemi dhe ratifikimin e kontratës nga qeveria italiane që do të mbështesë të gjithë sistemin e Mbrojtjes Civile dhe përballimit të emergjencave në Shqipëri. Do të jetësohet gjatë këtij viti ky financim dhe në vijim do të kemi bashkime me kapacitete më të forta për mbrojtjen civile dhe të gjithë institucionet e tjera të të gjithë sistemit.
Ne nuk do të jemi tek ky mekanizëm vetëm për të përfituar, por edhe për të kontribuar kudo që do të kenë më nevojë më kapacitetet tona, kemi burime që herë pas here i kemi vënë në dispozicion. Është një anëtarësim me pagesë, është një formulë që llogaritet nga BE, bazohet edhe në buxhetin e këtij mekanizimi. Kemi një projeksion sa do të jetë kostoja, rreth 80 mijë Euro plus minus në varësi të formulës“.