“Boom-i” turistik i Shqipërisë duket se po gërryen turizmin në plazhet e Itali dhe kjo është diçka e merituar. I këtij mendimi është drejtori i të përditshmes italiane “La Ragione”, Fulvio Giuliani, i cili në një shkrim editorial në gazetën e tij kritikon ashpër qasjen e bizneseve akomoduesve në plazhet italiane ndaj turistëve, ku siç rrëfen ai, çmimet kanë arritur lartësi stratosferike, 150 euro për një çadër në një hapësirë jo më të madhe se 1 metër katror, e ku në lokalet e bregdetit vendosen çmime shtesë deri në 2 euro për të ndarë më dysh një tost.
Shkrimin e tij e ka titulluar “Shqipëria po ha Puljan”, plazhet e së cilës janë një prej destinacioneve më të preferuara të italianëve për të kaluar pushimet verore. Ata po zgjedhin Shqipërinë ku një çadër me 2 shezlongë kushton jo më shumë se 10 euro.
“Tani, të përditshmet më të mëdha të Italisë janë në garë për të treguar për bumin e bujshëm turistik të Shqipërisë. Ana tjetër e Adriatikut na rikthen në vëmendje turistët e shtresës së mesme, që dominojnë në plazhet italiane e që tani po marrin arratinë nga rregulloret europiane”, thotë më tej drejtori i “La Ragione-s”.
Praktikat që po përdorin bizneset akomoduese të zonave bregdetar në Itali, ku fokusi është tek të përfituarit sa më shumë, në këmbim të një shërbimi gjithnjë e më pak të kënaqshëm, Fulvio Giuliani thotë se po e dëmtojnë rëndë këtë kategori turizmi. Kjo sjellje sipas tij është mënyra më e mirë për të larguar turistët, numri i të cilëve ka rënë me 20% në Korrik në plazhet italiane. “Këtë fakt, në Shqipëri po e shijojnë”, e mbyll shkrimin e tij Fulvio Giuliani.
Ditët e fundit, të përditshme prestigjioze italiane si La Republika, La Stampa, Sky, etj, e kanë përshkruar Shqipërinë si Maldivet e Europës, ku shërbimi i cilësisë së lartë paguhet me çmime të lira.
