Në Prokurorinë e Tiranës është nisur një hetim lidhur me “shit-blerjen e paligjshme të organeve njerëzore” dhe kjo pas një skandali. Mësohet se një 33-vjeçar shqiptar i cili ishte shtruar në Spanjë për infeksion në mushkëri ka ndërruar jetë atje, teksa në Shqipëri mësohet se trupi i pajetë i tij ka ardhur pa zemër. I ndjeri është identifikuar si S.Sula. Burime bëjnë me dije se ai ka qenë përdorues i lëndëve narkotike, ndërsa në vitin 2020 ka marrë ekzaminim mjekësor në Barcelonë por më pas ka ndërruar jetë në rrethana të paqarta. Sipas të afërmve të Sulës, mjekët spanjollë nuk kanë lejuar që të shohin trupin e pajetë të Saimirit. Kështu familja Sula, ka pezulluar për disa ditë zhvillimin e ceremonisë së varrimit, duke depozituar një kallëzim penal në polici, për mungesën e zemrës së Saimirit.
“Në trupin e kufomës Saimir Sula, në këqyrjen e jashtme përveç prerjeve autoptike dhe ndryshimeve pas vdekjes, nuk u vunë re dëmtime të shkaktuara nga dhuna. Nga këqyrja e brendshme e organeve dhe të dhënave mikroskopike nga ana jonë u konstatuan bronkopneumoni sero-deskuamative dhe hepatit koronik persistent. Autolizë e organeve dhe mungesë të organit jetësor, zemrës”, thuhet në raportin e mjekëve në Tiranë.
