Avokati i Emiljano Shullazit i është drejtuar me një letër Presidentit Ilir Meta, kryeministrit Edi Rama dhe kreut të Kuvendit, Gramoz Ruçi, lidhur me aplikimin e regjimit 41 biss për klientin e tij.
“Informacion dhe kërkesë për vetëdijësim e reflektim” thuhet në hyrje të letrës, ku shpjegohet pse sipas avokatit, ky vendim për Shullazin është i padrejtë.
“Nuk është asnjëherë e vonuar apo e tepërt të pranohet që ekzistojnë mangësi në një proces të hartimit e zbatimit të ligjit, apo që nuk janë marrë në konsideratë Aktet e marrëveshjet ndërkombëtare. Aq më tepër nuk është e vonuar apo e tepërt të rishikohet një gjendje e caktuar ligjore apo edhe e mënyrës së aplikimit të ligjit, kur kjo është në funksion të humanizmit, drejtëisë, barazisë para ligjit dhe distancimit nga politika që shpien në trajtime çnjerëzore, degraduese e me tipare të torturës”, thuhet në letër.