Kryetari i bashkisë së Himarës i bën apel banorëve të aplikojnë për të marrë çertifikatat e pronësisë, pasi procesi është bërë më i lehtë. Në emisionin “Vendi Im”, Tavo shpjegon se kur mbante detyrën e prefektit, sfida më e madhe ishte te bindte qytetarët të aplikonin për të marrë pronën e tyre.
Lexo edhe :
Related Posts
“Unë kam mbledhur vetë si prefekt 5 herë kryepleqtë në takime të ndryshme vetëm për të sensibilizuar banorët e fshatrave të tyre për të aplikuar, 5 herë. Dhe kur vjen puna sërish kishte stepje nga ana e qytetarëve. Momentin që Kryeministri erdhi këtu në këtë shesh ku jemi tani dhe shpërndau 437, në mos gaboj, tituj të pronësisë, atëhere njerëzit thanë dale se kjo është reale e s’ka lidhje me premtimet elektorale se ishim shumë larg zgjedhjeve. Dhe tashmë nëse do të shkoni, edhe në këtë orë që jemi tani, nëse do të shkoni në zyrën e hipotekës në bashkinë e Himarës do të shikoni që ka akoma radhë për aplikim. Ky ishte sukses,” thekson Tavo.
Pasi KQZ i dha mandatin e kryebashkiakut, Tavo shpjegon se puna e parë që do bëjë është përgatitja për sezonin e ardhshëm turistik.
“Unë nuk kam qëllim në vetvete rritjen e taksës ndaj biznesit, por kuptohet që me biznesin, me të gjithë pa përjashtim, por në mënyrë të veçantë me biznesin që operon më shumë në sezonin turistik, padyshim do të rritet bashkëpunimi me ta. Dhe deri në njëfarë mënyre ndoshta edhe kërkesa e llogarisë pak më shumë përsa i përket cilësisë së shërbimeve, menaxhimin e situatës sidomos me mbetjet që ka pasur raste vërtet sporadike, por ka pasur raste që kjo situatë nuk ka qenë e mirëmenaxhuar. Pra me bizneset do të kemi një bashkëpunim më të ngushtë dhe një kërkesë më të shtuar për sezonin e ardhshëm turistik.
Dhe në temat që do të diskutoj me të gjithë operatorët e bashkisë së Himarës me fillimin e detyrës do të jetë edhe kjo, mënyra për mirëmenaxhimin e sezonit turistik të ardhshëm. Do ta nisim që tani diskutimin dhe jo në prag të sezonit,” shpjegon Tavo për “Vendi Im”.