Kryetari i bashkisë së Himarës Vangjel Tavo flet për herë të parë për humbjen në garën për kryesinë e Partisë Socialiste. Në emisionin “Vendi Im”, Tavo pranon se në 14 vitet që ai ka qenë me LSI, PS ka ndryshuar dhe anëtarët e asamblesë nuk e njohin më.
“Partia Socialiste sot nuk ka ata njerëz ishin para 14 vitesh kur unë u largova nga PS. Ka një rinovim te strukturave, ka njerëz të rinj te cilët nuk më njohin. Me kalimin e kohës do njihem edhe me ata. Ashtu sikundër nëse ju kujtohet në kongreset e kahershme të PS unë dilja tek njerëzit më të votuar. Kështu që shpresoj shumë që të njihem me të gjithë. Dhe nëse do të jetë nevoja, nuk ka qenë asnjëherë t’ju them të drejtën qëllim në vetvete për të bërë karrierë partiake, të bëhem anëtar i kryesisë, kështu që po të jetë nevoja; nesër pasnesër, nëse do të vazhdoj të jem aktiv në politikë, me njohjen që do kem me anëtarët do të fitoj edhe besimin e tyre,” tregon Tavo për “Vendi Im”.
Lexo edhe :
Related Posts
Në garën për kryesinë e PS Vangjel Tavo ishte më pak i votuari në 7 kandidatët, dhe vetëm 174 anëtarë të asamblesë i besuan votën.
Por, në mbledhjen e asamblesë së PS, u caktua Bledi Çuçi drejtues politik për qarkun e Vlorës dhe Tavo do të duhet të bashkëpunojë me të për zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Edhe pse Tavo dhe Çuçi kanë qenë kundërshtarë në zgjedhjet e 2021, Çuçi si drejtues politik i PS për Gjirokastrën dhe Tavo si kandidat për deputet i LSI, vetë Tavo tregon se bashkëpunimi s’do të jetë problem.
“Edhe kur ishim në Gjirokastër, pavarësisht se ishim në dy fronte të ndryshme ai mazhorancë e unë opozitë, në njëfarë mënyre kemi bashkëpunuar. Kundër në politikë por me njeri tjetrin kemi bashkëpunuar. Tashmë bashkojmë të dy forcat sepse gjithësecili ka pasur dhe ka forcën e tij, bashkojmë dy forcat për të mirën e kësaj force politike në të cilën jemi sot,” shpjegoi Tavo.