Patëllxhanë të mbushur është një pjatë shumë e përdorur dhe janë shumë mënyra për ta përgatitur. Një ide e mirë edhe për të përdorur perimet e ngelura në shtëpi.
Përbërësit për Patëllxhanë të mbushur
4 patëllxhanë
50 gr ullinj
4 kokrra domate
100 gr tul buke
1 thelbi hudhër
djathë i grirë
rigon
majdanoz
fara pishe
vaj ulliri
kripë
Përgatitja
Për të përgatitur patëllxhan të mbushur si fillim duhet të pastrojmë perimet dhe patëllxhanët i ndajmë në gjysmë për së gjati. Heqim tulin brenda dhe i bëjmë kubik të vegjël. Presim dhe domatet në copa të vogla. Nëse është e mundur i heqim lëkurën.
Në një enë me vaj ulliri hedhim hudhrën e grirë dhe kaurdisim tulin e patëllxhanëve dhe pak më vonë shtojmë dhe domatet e grira. Grijmë tek mbushja edhe disa kokrra ulliri. I heqim nga zjarri dhe shtojmë erëzat dhe rregullojmë kripën.
Më pas shtojmë tulin e bukës të regjur pak në ujë dhe djathin e grirë. E përziejmë mirë të gjithë masën. Me ndihmën e një luge mbushim më radhë patëllxhanët dhe i vendosim në një tavë. Sipër patëllxhanë të mbushur hedhim disa fara pishe dhe pak vaj ulliri.
Tavën me patëllxhan e pjekimi në furrë për 30 minuta në temperaturën 180°C. Pasi janë pjekur i lemë pak të ftohen dhe i shërbejmë./Arti i gatimit/