Sulmi kibernetik ka nxjerrë jashtë funksionit sistemin e gjobave të automjeteve. Për pasojë qytetarët do paguajnë gjobat e tyre me kamatvonesë. Një tjetër problem madhor është dhe bllokimi i mjeteve me targa të huaja, pasi verifikimi i tyre është i pamundur.
Në këto kushte, çdo mjet luksoz me targa të huaja që bllokohet nga policia rrugore, duhet të qëndrojë me ditë të tëra në ambientet e drejtorisë së policisë.
Sistemi i trafiqeve i cili bën verifikimin nëse mjeti është i vjedhur apo jo, nuk punon. Qytetari duhet të presë deri sa të riparohen dëmtimet nga hakerat për të marrë makinën e tij.
Një tjetër problem që rëndon qytetarët është fakti se nëse ata gjobiten brenda qytetit për shpejtësi, parakalim të gabuar, përdorim celulari etj, nuk kanë akses që të paguajnë gjobën në asnjë pikë postare.
Ata nuk përfitojnë as 20% më pak të vlerës, nëse gjoba paguhen brenda 5 ditësh siç parashikon ligji, por madje rrezikojnë që të paguajnë edhe kamatëvonesat, nëse sistemi kërkon shumë ditë që të rikthehet në normalitet.
Efektivët e rrugores përveç se nuk kanë akses në sistem, kanë edhe tabletat e tyre jashtë shërbimit.
Kjo gjë bën të pamundur verifikimin e targës së mjetit për të vendosur gjoba për parkimet e gabuara.