Kreu i qeverisë, Edi Rama ishte i pranioshëm sot në inspektimin e punimeve të shkollës, “Charles Telford Erikson” në Golem të Kavajës.
Nga kjo bashki, Rama ka thumbuar kryebashkiakun aktual, Isa Sakja se ai nuk merret me ndërtimin apo rikonstruksionin e konvikteve, por vetëm të ndërtojë pallate në rërë.
“Të bëhet një projekt për konviktet dhe bëjmë konviktin si pjesë e shkollës dhe t’ia lëmë shkollës, ose të gjejmë një formë administrimi se bashkia këtu nuk ka ndërmend të bëjë as konvikte as shkolla. Bashkia këtu ndërton pallate në rërë, akoma sot e gjithë ditën dhe s’kanë faj përderisa sot akoma s’ka ardhur dora e prokurorisë. Ndërkohë bëni projektin ose në qoftë se e keni çuar në bashki ta merrni mbrapsht. Ta bashkojmë shkollën me konviktin dhe të gjithë këtë ta bëjmë si kampus për nxënësit dhe pastaj të shikojmë edhe projektin e shkollës 9 vjeçare Golem. “ – u shpreh kryeministri.
Shkolla në Golem, nuk frekuentohet vetëm nga nxënësit e zonës. Një interes të madh për t’u shkolluar në të kanë edhe të rinjtë e qyteteve të tjera si Kukësi, Librazhdi etj. Por konviktet të administruara nga bashkia mbeten prej vitesh problematika më e madhe për shkollën. Shpesh, gjendja e tyre e mjerueshme bëhet pengesë për prindërit që duan të arsimojnë fëmijët e tyre në profilet që shkolla ofron.
“Të treja degët janë degët më të mira që mund të ketë arsimi profesional. Ne, edhe për vetë zonën ku jemi mendojmë që shkolla ti ketë këto degët. I ka pasur historikisht dhe duhet ti ketë. Një interes të madh ka edhe nga nxënës që nuk janë të kësaj zone si Kukësi, Librazhdi, etj. Agrobiznesi dhe veterinaria marrin bursa. Kështu që prindërit janë të interesuar t’i sjellin edhe për bursën, por problemi është akomodimi dhe ky është një minus shumë i madh. Konviktet janë në administrimin e bashkisë dhe janë në gjendje të mjerueshme.”
