Malaga po kalon një moment të vështirë në kampionat. Pas krizës ekonomike që e ka kapluar klubin dhe rezultateve negative të këtij sezoni, kanë ardhur të tjera probleme për klubin. Tashmë, Malaga e sheh veten pa trajner për shkak të një videoje që është shpërndarë në rrjet së fundmi.
Trajnerit të Malagës, Viktor Sançez i është publikuar një video intime në rrjet dhe menjëherë pas kësaj, ka ardhur reagimi i klubi spanjoll. Malaga e ka pezulluar nga detyra si trajner deri në hetimin e plotë të videos që është publikuar në rrjet pasditen e sotme. Me verifikimin e videos, do të vendoset më pas për të ardhmen e trajnerit.
Ndërkohë, vetë trajneri ka reaguar duke u shprehur se po i ndërhyjnë në privatësinë e tij dhe kjo video është shpërndarë vetëm për t’i bërë presion. “Duke u bazuar në ngjarjet e fundit që ende nuk janë verifikuar, klubi ka vendosur të pezullojë menjëherë nga detyra trajnerin Viktor Sançez deri sa të hetohet plotësisht e vërteta”, shkruhej në njoftimin e klubit.
