Nuk është surprizë që mendojnë djegiet dhe armët. I kanë të dyja me bollëk në vatrat e fjetura të trurit. Dhe kur puna është për të arshivuar humbjen politike të radhës, instiktet çojnë natyrshëm tek zjarri dhe armët. Njërit prej kryeopozitarëve i ka shpëtuar sot një e vërtetë frojdiane. “Berisha do e kishte djegur Kuvendin sot, nëse do ishte në krye të opozitës”.

Si për t’i bërë jehonë impulsit të tij luftarak, një tjetër zyrtar i opozitës poston në rrjetet sociale një pisqollë dhe një brez me fishekë. Dy reagime elokuente, që tregojnë se cili ishte përjetimi i opozitës sot, teksa Rama dhe Murrizi ndryshonin Kushtetutën, ndërsa Basha e Kryemadhi ndodheshin në kafe, të pafuqishëm për të influencuar atë që ndodhte brenda sallës së parlamentit.

Në fakt votimi i sotëm i ndryshimeve kushtetuese, që hapi listat e kandidatëve dhe synon t’i japë fund koalicioneve me shumë lista emërore, ka qenë një moment me rrezik të lartë tensioni në Tiranë. Jo vetëm politik, por edhe më tej.

Shumëkush që nuk e sheh dot me sy Edi Ramën, mendon sot se janë shterrur rrugët dhe mjetet paqësore për ta lëvizur atë nga vendi. Edhe lëvizjet e dhunshme të vitit të shkuar, edhe pisqollat dhe nostalgjia për zjarret e Berishës, këtë ndjesi kapitullimi dhe revanshi pasqyrojnë.

Por monedha në këtë rast ka një anë tjetër të saj, krejt të ndryshme nga dëshira e pashtershme e një pjese të opozitës së sotme, për t’i larë hesapet një herë e mirë me “Covidin e Surrelit”, siç e quajnë së fundi Edi Ramën. Dhe ana tjetër e monedhës është pikërisht dëmi i pariparueshëm që i ka sjellë opozitës së sotme, PD-së në radhë të parë, tundimi i fortë drejt molotovëve, zjarrit dhe kalldrëmit të shkulur të bulevardit.

Kush ka jetuar brenda opozitës aktuale në shtatë vitet e fundit, ka mjaftueshëm prova dhe argumenta për t’i ikur edhe zjarrit të Berishës, edhe pisqollave e vezmeve me fishekë në Facebook. Sepse ato thjesht nuk të sjellin në pushtet.

Lulzim Basha nuk është ai që përshkruan kryeopozitari nostalgjik për zjarret në Kuvendin e Shqipërisë. Nëse sot Basha reagoi ashpër, por brenda vijave, kjo vjen jo vetëm sepse ambasadorët e SHBA e BE i shkojnë përditë në zyrë, por edhe sepse ai e ka tashmë të qartë se rruga e dhunës e la me gisht në gojë. Basha është djegur shumë herë këto vite, nga linja e tij e ashpër e ndjekur me kokëfortësi, e që në fund ka çuar në tërheqje pa kushte.

Nëse PD nuk do të ishte tunduar skajshëm vjet, për të hedhur në Lanë mandatet, sot do të ishim duke treguar një histori krejt të ndryshme në lidhje me Kushtetutën. Asnjë ndryshim kushtetues nuk do të bëhej dot, nëse PD e LSI do të ishin në parlament, e jo në rrugë. Për pasojë, koalicionet me lista shumë emërore, formula që do të garantonte rezultat maksimal për opozitën në zgjedhjet e ardhshme, do të ishin thjesht të paprekshme për Ramën.

Zjarri dhe pisqollat e çuan punën në këtë derexhe, për ata që sot nuk arritën të ndalin as akrobacinë e fundit të qeverisë: ndryshimin në mënyrë të njëanshme të Kushtetutës së vendit! Jo se Rama ka ndonjë kartë të bardhë për të bërë ç’të dojë pa ju dridhur qerpiku. Por sepse mënyra sesi është ndërtuar sot marrëdhënia mes pozitës dhe opozitës në këtë vend, me një pjesë në rrugë e tjetrën në parlament, e ka bërë të vështirë për arbitrat e huaj, që t’i ndalin dorën njërës apo tjetrës palë. Si zakonisht, loja politike shqiptare është thellësisht e errët, hileqare dhe e koklavitur për kancelaritë, që nuk kanë kohë të shpleksin nga e para çdo lëmsh që pjell kriza shqiptare.

Nevoja për stabilitet fiton gjithmonë mbi këto rrethana të ngatërruara që sjellin me vete ngjarjet në Tiranë dhe sot kemi parë një dëshmi të paprecedent të kësaj linje stoike të Perëndimit në Tiranë.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here