Kuvendi nis sot punën pas lajmërimit të premten nga kryetari Gramos Ruçi, për seancë pasditen e të hënës, 2 shtator 2019.
Janë plot 37 nisma, nga të cilat 11 dekrete të Presidentit për kthim ligjesh,projekt-vendime si dhe refoma zgjedhore presin votën e ligjvënësve për t’u miratuar në Kuvend gjatë këtij sesioni parlamnetar.
Kryefjalë e këtij sesioni do të vijojë të mbetet çështja e Presidentit Ilir Meta. Mazhoranca përmes një komisioni hetimor kërkoi shkarkimin e kreut të shtetit, pas dekretit që Presidenti nxorri për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit, shkruan Tv Klan.
Shumica parlamentare edhe pse iu drejtua për opinion Komisionit të Venecias, i qëndron argumentit se kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën duke anuluar mbajtjen e vendoreve në 30 Qershor.
Duket se përplasja mes Presidentit e mazhorancës do të përshkallëzohet muajt në vijim, teksa kreu i shtetit jo pak herë ka apeluar për respektim të dekretit të tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në 13 Tetor.
Kësaj përplasje i shtohet edhe ajo e opozitës, e cila që prej muajt Shkurt ndodhet jashtë institucioneve, duke djegur mandatet e deputetëve e bojkotuar vendoret e mbajtura në 30 Qershor.
Lulzim Basha ka paralajmëruar përshkallëzim të aksionit opozitar dhe nisjen e protestave, duke mos u tërhequr nga kushtet e tij të panegociueshme, mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare në të njëjtën kohë dhe krijimin e një qeverie tranzitore pa Kryeministër Edi Ramën.
