Pas një seance që nisi pasditen e së mërkurës dhe përfundoi natën, sot deputetët dhe qeveria do të jenë sërish në sallën e Kuvendit të Shqipërisë. Nga debatet edhe mes dy grupeve të PD-së, nuk u arrit votimi për projektligjet dhe projektvendimet e parashikuara për t’u miratuar, ndaj u vendos që seanca të vijonte edhe sot. Në fund të tensioneve, Lindita Nikolla pezulloi nga seanca deputetin Flamur Noka.
Sot në votim është zgjedhja e Avokatit të Popullit, vendime dhe projektligje të tjera të rëndësishme, ndër të cilët veçojmë projektvendimin për emërimin e një anëtarët të Gjykatës Kushtetuese, për emërimin e një anëtari të bordit të ERE-s, apo ndryshimet në Kodin Rrugor.
Në rend të ditës janë dhe disa marrëveshje të fushës financiare si ai për ndryshimet në buxhetin e vitit 2022, ratifikimi i marrëveshjes së huasë, me Fondin Saudit për Zhvillim, për projektin e ndërtimit të lotit të tretë të rrugës Qukës-Qafa e Plloçë, ai për aderimin në iniciativën e përbashkët për rregulloren e brendshme për shërbimet e Organizatës Botërore të Tregtisë si dhe ai për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin “Për huamarrjen shtetërore, borxhin shtetëror dhe garancitë shtetërore të huasë në Republikën e Shqipërisë”.
Kuvendi pritet të miratojë në seancën e sotme edhe projektligjin “Për dekoratat në Republikën e Shqipërisë” dhe atë “Për titujt e nderit dhe titujt vendore të nderit në Republikën e Shqipërisë”. Në rendin e ditës së seancës së sotme është dhe projektvendimi “Për zgjedhjen e Kryetarit të Autoritetit për lnformimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të shtetit”.
