Tensionet në seancën e kësaj të enjte në Kuvend, janë rritur dhe “mollë sherri” u bë SPAK-u. Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku ka hedhur akuza duke thënë se qeveria po pengon SPAK-un që të hetojë aferën e incerenatorëve. Ajo tha edhe se SPAK-u është bërë organi më i sulmuar nga të gjithë ata që kanë një dosje atje.
Pjesë nga debatet
Jorida Tabaku, deputete e PD-së: Si ka mundësi që drejtësia hesht edhe pse me zë dhe me figurë u vërtetua që kryetari bashkisë ka miratuar në kundërshtim me ligjin projektin dhe koncesionin? Si ka mundësi që hesht drejtësia kur ka prova se si ish ministra dhe politikanë me pushtet kanë udhëtuar, kanë bashkëpunuar dhe kanë shkelur ligjin për të ndihmuar Klodian Mërtirin, Klodian Zoton dhe Stela Gugalljan? Përse hesht drejtësia që duhet të na tregonte se nuk ka të paprekshëm as në politikë, as në biznes dhe as në fushën e krimit? Nga se ka frikë kjo drejtësi; nga ligji apo nga politika? Qeveria ka zgjedhur që ta sulmojë SPAK-un, ndërkohë që pjesa tjetër e politikës kërkon të intimidojë SPAK që mos të hetohen akuzat ndaj tyre. Nuk ka një shoqëri të shëndetshme, as një shtet serioz nëse nuk ka Drejtësi.
Ulsi Manja, ministër i Drejtësisë: Reformën në Drejtësi e bëmë që të mos flitet më për një pushtet të pavarur. Që politika të mos flasë më për drejtësinë. U desh vullneti i kësaj shumice që drejtësia të jetë e pavarur. Është e përcaktuar qartë sesi e ushtron Parlamenti një kontroll të tillë. Drejtësia sot po bën detyrën, nëse keni raste ku është ndërhyrë, është mirë t’ua thoni shqiptarëve. Sot kemi ish-kolegë tanë që po përgjigjen përpara drejtësisë. Tani nuk mund t’i thuhet drejtësisë pse nuk bën këtë, pse nuk bën atë. Retorikë politike në këtë sallë nuk mund të ketë. Lëreni drejtësinë të bëjë punënë e vetë. Hetimi nuk mbaron brenda ditës, duroni prisni hetimin. Përgjigja për të dy pyetjet; pse e bëmë dhe ku është, kjo është. Duroni.
Jorida Tabaku: Nuk e kam sulmuar kurrë drejtësinë, jam në detyrën time që të pyes se ku janë hetimet për dosjet, pse e kërcënoni SPAK? Pse SPAK është bërë organi më i sulmuar, ku është parë që t’i jepet urdhër një institucioni se çfarë të bëhen. Me këtë thirrje i drejtohem jo juve, se sot jeni nesër jo, po politikës e pushtetit. 184 dhe 339 janë çështje për hetimin e vjedhjeve, nëse hetohen ato persona do të jenë përballë drejtësisë.
Edmond Spaho: Duhet të themi të vërteta dhe të mos themi 100% gënjeshtra. Ministri tregoi sesi maxhoranca ndërhyn duke folur se modeli që është ndërtuar gjatë këtyre viteve është ekzemplar. Pse Rama i bën thirrje drejtësisë në asamble hetoni filanin…
Lindia Nikolla: Zoti Spaho nuk është procedurë, dakord doli thelbi.
Ulsi Manja: Ata që e pengojnë SPAK janë të krahu juaj, nëse e do saktësisht, i ke pas vetes. Kaq është përgjigjia për këtë, me emra e mbiemra t’i them tani e kush e pengon dhe intimidon SPAK. Raporti im me drejtësinë është se sa herë kanë punë me maxhorancën, ne i përgjigjemi. Kur nuk ju vjen mirë dilni nga salla se ju vjen orari i gjumit. Se ai gjumi ju ka marrë në qafë dhe ju ka sjellë ku jeni.
Edmond Spaho: Dua t’ju pyes nëse është ashtu si thoni ju, pse Rama në asamblenë socialiste jep udhëzime që të hetohet X apo Y. Kjo quhet ndërhyrje apo jo?