Luciano Spalletti i befasoi paksa të gjithë gjatë konferencës së parë për shtyp, që nga grumbullimi i kombëtares italiane, teksa përgatitet për miqësoret ndaj Venezuelës dhe Ekuadorit. Përveç komentimit të çështjes “Acerbi”, trajneri i të kaltve ka vendosur rregulla rigoroze.
Fjala është për çështjen e lojtarëve axurrë, të cilët ishin shumë të zënë duke luajtur ‘PlayStation’ deri në orët e vona të natës, para ndeshjeve. Ish-trajneri i Romës dhe Napolit i çoi gjërat më tej, duke përsëritur konceptin profesionist për futbollistët e tij dhe njoftuar rregulla më të ashpra.
Mbas pyetjes së fundit, të planifikuar në takimin me shtypin, Spalletti bëri një dalje të papritur për t’u pastruar nga disa “gurë në këpucë”, pas polemikave për fjalët e tij: “A kemi mbaruar? Nuk ju intereson ‘PlayStation’? Juve ndoshta jo, por mua më intereson shumë.
A është e drejtë për ju që profesionistët e veshur me fanellën e Italisë të mos flenë natën, por të luajnë video-lojëra, dhe të mos japin maksimumin të nesërmen? Nuk më intereson se çfarë bëjnë lojtarët, futbollistët, më intereson që në një kohë të caktuar ata të përpiqen të flenë”.
Rregullat e reja të vendosura në grup, veçanërisht për sa i përket kohës së lirë, duhen zbatuar me përpikëri. Kushdo që nuk i respekton mund të qëndrojë lehtësisht në shtëpi: “Në Kampionatin Evropian do të kemi një sallë lojërash të përbashkët, sepse është e rëndësishme ta mbushim hapësirën. Në mesnatë, të gjithë në dhomë, sepse varësitë nuk janë të mira”.