Njoftimi i krijimit të Super Ligës ka shkaktuar një tërmet të vërtetë në botën e futbollit, me UEFA-n dhe federatat gati për luftë pas vendimit të 12 klubeve të mëdha për t’ dhënë jetë turneut të ri. Nuk ka ende një datë për fillimin e këtij turneu, ndërkohë që janë përcaktuar formati dhe rregullorja.
Për momentin janë 12 skuadra që kanë konfirmuar zyrtarisht pjesëmarrjen: Milan, Arsenal, Atletiko Madrid, Çelsi, Barcelona, Inter, Juventus, Liverpul, Mançester Siti, Mançester Junajtid, Real Madrid dhe Totenham. Këta janë klubet themelues, të cilëve pritett’u shtohen edhe tre të tjerë, edhe ata në cilësinë e themeluesve, si dhe 5 klube që kualifikohen çdo vit. Klubet që kanë krijuar këtë format të ri të futbollit nuk mund të bien kurrë nga kategoria.
Super Liga do të përbëhet nga 20 klube, 15 klubet themelues dhe 5 të kualifikuarit. Do të jenë 2 grupe me nga 10 skuadra secili, që do të luajnë me sistemin vajtje-ardhje. Pas fazës në grupe, 8 skuadra do të kualifikohen për në fazën me eliminim direkt, duke luajtur në fushën e tyre dhe në transfertë, deri në finale që do të jetë me tek ndeshje.
Tri skuadrat e para të çdo grupi do të kualifikohen automatikisht për në çerekfinale. Vendet e 4-ta dhe të 5-ta do të përballen në një sfidë vajtje-ardhje për dy vendet e disponueshme për të plotësuar 8-shen. Finalja është ndeshje teke dhe do të luhet në fund të majit në një stadium neutral.
Turneu do të nisë në gusht, por duke parë betejën legale nga UEFA dhe fereratat, nuk është ende e qartë se në cilin vit do të ndodhë kjo. Vështirë të nisë para sezonit 2022-2023. Ndeshjet do të zhvillohen në mesjavë dhe të gjithë klubet do të vazhdojnë të luajnë në kampionatet e tyre kombëtare.
Financimi nga JP Morgan
Është gjithçka çështje parash, shumë parash! Super Liga do të financohet nga “JP Morgan”, kolosi amerikan. “Reuters” shkruan se një zëdhënës i grupit me seli në Nju Jork e ka konfirmuar këtë me një e-mail. Shifra të larta, siç lexohet në komunikatën zyrtare të Super Ligës:
“Turneu i ri vjetor do të sjellë një rritje ekonomike shumë më të lartë dhe do të jetë një mbështetje për futbollin europian nëpërmjet një impenjimi për një kohë të gjatë, do të arkëtohen kontribute solidariteti pa një limit maksimal, që do të rriten në raport me përfitimet e ligës. Këto kontribute solidariteti do të jenë shumë të larta se ato që gjenerohen nga kompeticioni aktual europian dhe parashikohet që të kalojnë 10 miliardë euro gjatë periudhës fillestare të impenjimit të klubeve.
Përveç të tjerash, turneu do të ndërtohet mbi një bazë financiare të shëndoshë, me të gjithë klubet themelues. Në shkëmbim të impenjimit të tyre, klubet themeluese do të përfitojnë rreth 3.5 miliardë euro si mbështetje të planeve të tyre për investimin në infrastrukturë dhe për të rregulluar bilancet pas pandemisë së Covid-19”.