Një ceremoni e veçantë u zhvillua në fillim të ndeshjes Burreli-Dinamo. Këshilli Bashkiak Mat i dha titullin “Qytetar Nderi” legjendës së futbollit matjanë Dali Farruku. Kryetarja e Këshillit Bashkiak Mat, Elisa Gjasta dhe nënprefekti i Matit vlerësuan lojën brilante të Farrukut të madh.
Kush ishte legjenda e futbollit matjan
Dali Farruku vlerësohet nga sportdashësit si ikona e futbollit matjan dhe vijon të përmendet kudo me nostalgji si një lojtar klasi.
I lindur në 1957 në fshatin Urakë, ai do të niste karrierën e tij brilante si futbollist në vitet ’70-të, kohë kur ai luante me klasat sportive në shkollën “31 korriku” Burrel.
Që asokohe specialistët e futbollit e vlerësuan për talentin. Në moshën 17-vjeçare veshi bluzën e ekipit të të rriturve, duke luajtur ndeshjen e parë të karrierës sportive me skuadrën e Himarës. Më pas luajti për 15 vite me skuadrës matjane dhe 6 vjet me atë të Lushnjes.
Farruku ka spikatur më shumë se kurdoherë në vitet ’80-90, sidomos në kampionatet 1981, 1983, 1986 kur Burreli debutonte në Kategorinë e Parë. Gjatë do të mbahen mend përballjet dhe loja e bukur e Farrukut me Dinamon, Tiranën, Partizanin, Vllazninë, etj.
Ai është shpallur golashënuesi më i mirë, një herë në Kategorinë e Parë me 13 gola dhe një herë tjetër më 18 gola në Kategorinë e Dytë. Ka zhvilluar afro 480 ndeshje në 23 vjet dhe ka shënuar mbi 200 gola.
Dali Farruku u grumbullua për pak kohë me Kombëtaren, por për shkak të një problem në biografi nuk pati fat të luajë me fanellën kuq e zi.