Ambasadorja amerikane Yuri Kim dhe kryetari i Kuvendit Gramoz Ruçi e kanë nisur këtë javë me një takim së bashku pas opinionit të Komisionit të Venecias dhe rekomandimeve për ngritjen e dy gjykatave të rëndësishme në vend, asaj Kushtetuese dhe të Lartë.
Edhe reforma zgjedhore gjithashtu ka qenë në fokus të bisedimeve të tyre për votimin e draftit final të dalë nga Këshilli Politik.
NJOFTIMI NGA KUVENDI
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti Ambasadoren e ShBA, znj. Yuri Kim
Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, priti sot Ambasadoren e ShBA, znj. Yuri Kim. Gjatë takimit u diskutua mbi ecurinë e reformës në drejtësi, të reformës zgjedhore dhe përshpejtimin e plotësimit dhe bërjes funksionale sa më shpejt të Gjykatës Kushtetuese dhe Gjykatës së Lartë. Kryetari i Kuvendit, z. Gramoz Ruçi, vuri në dukje se Kuvendi është maksimalisht i ngazhuar për suksesin e reformës në drejtësi, të reformës zgjedhore dhe realizimin e pritshmërive të qytetarëve shqiptarë, si kushte thelbësore për të nxitur e mbështetur progresin e Shqipërisë, konsolidimin e demokracisë dhe zhvillimin e vendit.
