Në një deklaratë për mediat në oorrin e Kuvendit pas përfundimit të seancës plenare ku foli presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla i është përgjigjur ish-kryeministrit Sali Berisha, teksa ky i fundit kërkoi ndërprerjen e marrëdhënieve diplomatike me Rusinë.
Balla tha se kjo është një deklaratë populiste e një politikani që i ka mbaruar koha, ndërsa theksoi se Berisha nuk ekziston më për të. Sipas Ballës, kryeministri Edi Rama e ka shprehur qartë pozicionin e Shqipërisë dhe se ata janë të gjithë me Ukrainën që po përballet me agresionin rus.
“Kuvendi i Shqipërisë sot kishte një seancë të posaçme me tepër rëndësi. Për të gjithë ishte e qartë edhe pozicioni i Shqipërisë i shprehur nga kryeministri Rama. Dhe po ashtu i qartë ishte edhe vlerësimi nga zoti Zelensky.
Në këtë aspekt kashtë mbi tjegulla mund të pretendojë të vendosë gjithkush. Nuk është momenti që politikanë të caktuar që e kanë mbyllur kapitullin e tyre të vijnë me propozime që as nuk kanë vlerë. Agresioni i pajustifikueshëm rus e ka bërë botën më të bashkuar se kurrë. Shqipëria do të ndërmarrë të gjitha hapat. Të merremi me gjëra serioze dhe jo me tollumbase populiste të ndonjë politikani që koha i ka mbaruar me kohë. Zoti Berisha nuk ekziston për mua.
Në fjalën e kryeministrit Rama keni një përgjigje të saktë për të gjitha hapat që do të marrë. Ne jemi të gjithë me Ukrainën”, tha Balla.
