Rastet pozitive me Covid-19 në vendin tonë kanë arritur në 5519, ku vetëm 24 orët e fundit janë infektuar 123 persona.
Numri i personave që kanë humbur jetë që prej fillimit të pandemisë është 166 e ndërsa situata në spitalet Covid paraqitet e rënduar si pasojë e shtimit rekord të rasteve.
Ekspertët e ISHP japin alarmin se ky numër në rritje i të prekurve vjen si pasojē e mosrespektimit të protokollit anti-COVID, i miratuar nga Komiteti i Ekspertëve dhe firmosur nga organi më i lartë që ndjek politikat shëndetësore dhe eficencën e zbatimit të tyre, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale.
“Me vendimin e Qeverisë, nga sot hyn në fuqi Akti Normativ i cili: Ndalon hapjen e klubeve të natës, diskove, lounge barve dhe çdo lloj shërbimi të kësaj natyre në mjedis të mbyllur apo të hapur, përveç restoranteve. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 3,000,000 lekë dhe me pezullim të aktivitetit për një periudhë një vjeçare. Sipas këtij akti, ndalohet muzika pas orës 20.00 në të gjithë mjediset e shërbimeve të çfarëdolloji. Mosrespektimi i këtij detyrimi nga subjektet, dënohet me gjobë 1,000,000 lekë dhe në rast përsëritje, me pezullim te aktivitetit për një periudhë gjashtë mujore.”
Ishte kjo deklarata e ministres së MSHMS, Ogerta Manastirliu pas gjendjes së rënduar në spitale.
Manastirliu iu ka bërë apel qytetarëve që të zbatojnë masat e vendosura dhe të përshtaten me normalitetin e ri si e vetmja mënyrë për të mbrojtur veten dhe të afërmit tanë.
Pas aktit normativ, një udhëzim që ‘karambolon’ Aktin Normativ është ai i hapjes së pishinave.
Drejtoresha e Inspektoratit të Shëndetit Publik, Albana Fico, bëri me dije disa javë më parë se është lejuar hapja e pishinave vetëm në ambiente të hapura.
Por a përbëjnë ato një rrezik potencial të përhapjes së Covid-19?
Në vendimin e firmosur nga Fico thuhet se “Lejohet të operojnë në të gjithë vendin vetëm pishinat në ambientet e hapura, duke respektuar kërkesat e legjislacionit në fuqi.”
Por pamjet, videot që qarkullojnë në rrjetet sociale, media dhe një mori platformash digjitale (YT, Tik-tok, etj) paraqesin situatë kaotike.
Jugu i vendit mbetet destinacion në alarm ‘të kuq’, kjo për shkak të dyndjes masive të popullatës drejt brigjeve të Jonit i cili shquhet tradicionalisht për turizëm ‘high class’.
Numri i vizitorëve dhe pushuesve drejt jugut ka kapur shifra rekord, kjo për shkak edhe të pezullimit të fluturimeve me vendet e Unionit, ku qytetarëve detyrimisht u duhet t’i kalojnë pushimet në Shqipëri për shkak të politikave të rrepta që po ndjek BE për të parandaluar përhapjen e Covid-19.
Tirananews.al ju sjell në foto dhe video situatën e krijuar në plazhe, e cila shfaqet alarmante.
Diskot janë mbyllur me akt normativ, por me sa duket të rinjve u ka shkuar ndërmend një gjetje origjinale.
Një pishinë e adaptuar në disko pool- ‘disko uji‘, ku në një hapësirë vetëm disa metra katror, nuk respektohet asnjë distancë dhe nuk zbatohet asnjë protokoll higjene.
Një burim (potencial) infeksioni si ky ambient në video, e cila ka ‘xhiruar’ në rrjet përbën kërcënim për jetën e qytetarëve.
📍/L.G/ Tirananews.al


