Pandemia e COVID-19 po përshpejton një tendencë ku Shqipëria kishte mbetur pas në raport me vendet e tjera, atë të rendjes pas teknologjisë së informacionit.

“Pandemia e tregoi se bizneset e përshtatura me teknologjinë, jo vetëm mbijetuan, por edhe po krijojnë avantazhe të reja”, thotë Drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), Linda Karçanaj.

Kemi nevojë për investime në teknologji, thotë ajo, një trend që qeveria shqiptare e ka nisur prej vitesh në sektorin publik. Sot është më se e domosdoshme të aplikohen format e reja të “smart-working”, investimit në rrjete të mira dhe trajnimit të punonjësve, këshillon Karçanaj. Në një intervistë për Monitor, znj. Karçanaj flet për ekonominë dixhitale dhe si po zhvendoset vëmendja në investimet në teknologji, ku paralelisht dhe shërbimet publike po kalojnë drejt platformave online.

Pandemia e COVID-19 ndikoi drejtpërdrejt në mënyrën e të bërit biznes në Shqipëri dhe kudo. Tashmë po flitet për ekonominë dixhitale dhe vëmendja e biznesit duket se është zhvendosur në investime të reja në teknologji.

Ju drejtoni portalin unik të shërbimeve publike e-Albania. Çfarë ndryshoi këta dy muaj në shërbimet publike online?

Portali e-Albania ka mbajtur një peshë domethënëse në këta dy muaj të vështirë.

Sot që flasim, kjo platformë është dritarja e vetme që mundëson plotësimin e nevojave për punën e bizneseve dhe dhënien e shërbimeve më të domosdoshme. e-Albania ka rregulluar ndjeshëm veprimtarinë e bizneseve në këto ditë, që nga leja për lëvizje pune, transportin e punonjësve, vërtetimet për hapje ose jo aktiviteti në këtë kohë pandemie.

Ndërkaq, kemi dyfishuar shërbimet e tjera për biznesin, që nga marrja e certifikatave të thjeshta e deri te transaksionet financiare më të domosdoshme. Mund t’ju përmend këtu shërbimet më të përdorura me vulë elektronike si listëpagesa e kontributeve shoqërore, shëndetësore dhe tatimit mbi të ardhurat nga punësimi, vërtetim i likuidimit të taksave, vërtetim për pagimin e kontributeve nga subjekti, vërtetim për pagim detyrimesh, vërtetim xhiro për tre vitet e fundit etj.

1 janari shënoi vetëm hapin e parë të kalimit të 472 shërbimeve publike vetëm online.

Qershori i vitit 2020 shënon fazën e dytë me 395 aplikime të shërbimeve publike që do të kalojnë online dhe faza e tretë do të jetë në dhjetor të vitit 2020, kur do të kemi 394 aplikime online të shërbimeve publike, të cilat në total përbëjnë mbi 90% të të gjitha shërbimeve publike.

Më besoni që nuk ka qenë e lehtë, pasi është investuar në shumë institucione për të modernizuar sistemet e tyre, për t’i bërë këto sisteme të “flasin” me njëri-tjetrin. Sot mund të krenohemi se gjatë muajit prill kemi pasur rreth 15.2 milionë vizita në portal, ose afërisht 4 herë më shumë se para pandemisë. Vetëm në 4-mujorin e parë të 2020, numri i përdorimeve të shërbimeve në total, ka tejkaluar totalin e përdorimeve të shërbimeve në vitin 2019. Vetëm në janar-prill ka rreth 312,000 përdorues të rinj në portal. E gjithë kjo panoramë shifrash është dëshmi e përdorimit dhe ndikimit real të teknologjisë në jetën e bizneseve dhe qytetarëve.

Cila është grupmosha me përdorimin më të madh, si është ndarja gra-burra? Po ndarja sipas qyteteve?

Natyrisht që moshat e reja janë më të familjarizuarit në përdorimin e teknologjisë. Rreth një e katërta e përdoruesve në e-Albania, ose rreth 26%, janë të moshës nga 30 deri në 39 vjeç. Befasuese janë edhe shifrat e përdorimit për moshat 50-60 vjeç, kjo për shkak të lehtësisë së përdorimit të portalit. Sa i përket gjinisë, të dhënat janë vërtet interesante, pasi mbi 40% e përdoruesve janë gra.

Kuptohet, qendrat urbane si Tirana dhe Durrësi kanë peshën kryesore të përdorimit të e-Albania. Tirana ka mbi 860 mijë përdorues ose mbi 42% të totalit. Më pas Durrësi me 7.9%, Shkodra me 7.6%, Elbasani me 7.5%, Fieri me 4.9% e kështu me radhë.

Cilat shërbime parapëlqehen më shumë nga biznesi në e-Albania? Ndërkaq, pushimi i përkohshëm i aktivitetit (pezullimi) ka kaluar në platformë gjithashtu. Si duhet proceduar nga ana e atyre bizneseve që duan të pezullojnë aktivitetin e tyre?

Me një ndalesë të vetme online, biznesi praktikisht kryen të gjithë ciklin që i duhet në raport me shtetin. Këtu përfshihen aplikimet për leje dhe licenca, hapja e një biznesi në ri, pagesa e taksave, dorëzimi i bilanceve, pagesa tatimore, vërtetime të ndryshme me vulë elektronike, ekstrakte, veprime përmbarimore etj.

Gjithashtu, së fundmi kemi edhe shërbimin për pezullimin e përkohshëm të biznesit. Në e-Albania, ky shërbim është kthyer në një ndihmë të vërtetë për gjithë ato biznese që hasën vështirësi gjatë pandemisë e që duhej të mbylleshin.

Aplikimi është më se i thjeshtë.

Në platformë kërkohet shërbimi “Aplikim për njoftim për pushimin e përkohshëm të aktivitetit”. Subjekti identifikohet në e-albania, plotëson formularin elektronik me të dhënat që kërkohen dhe bashkëlidh dokumentacionin që kërkohet në varësi të formës ligjore që ka subjekti, fizik ose juridik. Pas dërgimit të aplikimit, çështja merret në shqyrtim nga nëpunësi i autorizuar i QKB dhe merr vendimin përkatës për çështjen, e cila i dërgohet subjektit aplikues në mënyrë elektronike.

Ju jeni shprehur se deri në fund të vitit, nga 1384 shërbime publike, mbi 90% e tyre do të ofrohen nga e-Albania. Çfarë pritet të ndryshojë më tej në shërbimet publike?

Deri në fund të vitit, sportelet e institucioneve publike që detyrojnë qytetarët apo bizneset të presin në radhë, do të numërohen me gishtat e dorës. Besoj se ju i imagjinoni skenat e pak viteve më parë, kur edhe për një certifikatë mbahej radhë me orë, apo për vërtetime deri në disa ditë. Pra do të ndryshojë njëherë e përgjithmonë raporti i shtetit me qytetarin në shërbime. Nuk do të ketë më radhë, nuk do ketë më pagesa, nuk do ketë më zyrtarë të papërgjegjshëm që detyrojnë bizneset të paguajnë nën dorë. Biznesit nuk i kërkohet më të plotësojnë dosje aplikimi për leje dhe licenca, pasi punonjësi i administratës mund të mbledhë të gjitha vërtetimet që jepen nga vetë shteti përmes sistemit elektronik. Për këtë kemi trajnuar rreth 9 mijë punonjës të administratës. Ky është revolucioni dixhital shqiptar që po transformon totalisht sjelljen e të bërit biznes në Shqipëri.

E-Albania ofron edhe mundësinë e transaksioneve financiare të biznesit. Si po ecën ky shërbim dhe çfarë pagesash mund të bëjnë bizneset në e-Albania?

Bizneset mund të bëjnë pothuaj të gjithë pagesat në formë elektronike në e-Albania të tilla si; tarifat kombëtare, tatimin mbi të ardhurat personale, tatimfitimin, tatimin e thjeshtuar mbi fitimin, kontributet e sigurimeve shoqërore dhe shëndetësore, tarifat vendore etj. Krahas të gjithë këtyre shërbimeve, bizneset përfitojnë edhe nga efektshmëria e portalit. Në momentin që një biznes nis të plotësojë formularët, rreth 70% plotësohet automatikisht nga sistemi, sepse kemi integruar 53 regjistra elektronikë që shkëmbejnë të dhëna në kohë reale.

A ofrohet garanci maksimale për ruajtjen e informacionit të tyre?

Më vjen mirë që më pyete për këtë, sepse nuk është asnjëherë keq kur përsëritet një sqarim i tillë.

e-Albania është porta dalëse për informacionet që vetë qytetarët dhe bizneset kanë në regjistrat shtetërorë. Platforma funksionon duke bërë kryqëzimin e regjistrave me njëri-tjetrin për të dhënë një dokument të caktuar, pa e përpunuar informacionin dhe pa e ruajtur atë. Rrjedhimisht, sa herë përdoret një shërbim nga biznesi apo qytetari, e-Albania kryqëzon sërish regjistrat për të dhënë dokumentin me të dhënat në atë moment. Pra, besimi i bizneseve është drejt regjistrave në institucionet përkatëse ku gjenden të dhënat e tyre, ndaj e-albania mbetet vetëm mirënjohja e lehtësimit të përdorimit të këtyre të dhënave.

Në përllogaritjet tuaja, çfarë kostosh do të ulen më tej për biznesin me shërbimet e reja që do të ofroni deri në fund të vitit?

Kostot administrative për biznesin do të ulen në minimum. Besoj se kjo do të thotë shumë. Deri më sot, biznesi ka pasur punonjës të dedikuar, që punonin vetëm për të mbajtur letra në rregull me shtetin, të mbanin radhë në sportele, të paguanin tarifa, etj. Këtu nuk po llogaris riskun e vazhdueshëm të biznesit për të rënë pre e abuzimeve të administratës. Të gjitha këto kanë marrë fund tashmë.

Do të mbi dyfishojmë shërbimet deri në fund të vitit, të cilat do t’i prezantojmë një nga një për të gjitha bizneset.

Nënshkrimi elektronik për biznesin është një tjetër shërbim që e-albania ofron, ku ulja e kostove për biznesin, në marrëdhënie me shtetin, por edhe në marrëdhënien biznes-biznes, ulet ndjeshëm në çdo ditë që kalon. Bizneset tashmë shkëmbejnë dokumente të nënshkruara elektronikisht me vlerë të plotë ligjore në distancë, dhe nevoja për t’u takuar apo për të dërguar letra fizike është 0.

Ju njihni nga afër ndryshimet teknologjike që po ndodhin gradualisht në Shqipëri. Çfarë mendoni se do të ndryshojë më tej në sjelljen e biznesit pas pandemisë së COVID-19? Do të ketë avantazhe?

Kam vetëm një këshillë; të investojnë në teknologji! Më mirë të kursehet në diçka tjetër, se sa në investimet në teknologji. Pandemia e tregoi se bizneset e përshtatura me teknologjinë, jo vetëm mbijetuan, por edhe po krijojnë avantazhe të reja. Kemi nevojë për investime në teknologji, një trend që qeveria shqiptare e ka nisur prej vitesh në sektorin publik. Sot është më se e domosdoshme të aplikohen format e reja të “smart-working”, investimit në rrjete të mira dhe trajnimit të punonjësve. Jemi pjesë e një tregu global dhe këtë duhet ta shfrytëzojmë në avantazhin tonë, pasi i kemi mundësitë, veçanërisht në burime njerëzore. Informaticienët dhe Inxhinierët elektronikë shqiptarë janë mjaft të përgatitur dhe të gatshëm të konkurrojnë. Ndaj, sot s’duhet të ketë më asnjë mëdyshje. Teknologjia është e tashmja!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here