Ka nisur testi i drogës për efektivët e policisë. 150 oficerë të policisë në Tiranë, Elbasan, Lezhë dhe Durrës i janë nënshtruar testit. Nuk është konfirmuar ende nëse nisja e testit të drogës pranë forcave Shqiponja dhe policive vendore në Tirane, Lezhë dhe Elbasan ka lidhje me dyshimet konkrete se pikërisht pranë këtyre drejtorive mund të ketë oficerë që janë përdorues të lëndëve narkotike. Në fakt, ndonëse u lidh një marrëveshje me një laborator në Tiranë bazuar në kërkesën e drejtorit të përgjithshëm dhe premisës se ky proces do të eliminoje akuzat ndaj policisë së shtetit, prej 7 vitesh është në fuqi ligji parashikon jo vetëm rekrutimin në polici duke u bazuar edhe në këtë test, por nënshtrimin e vazhdueshëm ndaj kontrolleve.
Kujtojmë se drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Gledis Nano, firmosi urdhrin që është shpërndarë në 12 drejtoritë e qarqeve, përmes së cilit informoi se punonjësit e policisë do të testohen për drogën. Ky vendim erdhi pas përfshirjes së një numri të lartë të punonjësve të policisë në aktivitete kriminale. Drejtori i Policisë së Shtetit nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi më laboratorin mjekësor privat sa i përket këtij testi. Marrëveshja e konsiston në krijimin e mundësive për ekzaminimin mjekësor periodik të punonjësve të Policisë së Shtetit, në kuadër të rritjes së standardeve dhe integritetit personal, për të ndaluar përdorimin e lëndëve narkotike nga ana e tyre.
Nano e konsideron këtë test droge si mundësi të vlefshme për rritjen e imazhit të Policisë në komunitet dhe për fitimin e besimit të qytetarëve, sepse kryerja e testit periodik për përdorimin e lëndëve narkotike do të eliminojnë akuzat e dashakeqësitë ndaj Policisë së Shtetit. Pavarësisht se një efektiv policie mund të rezultojë negativ në test, vetë struktura mund të ketë informacione në vazhdim se ai është konsumues i lëndëve narkotike dhe ritestimi i tij do të bëhet në mënyrë krejt rastësore dhe surprizë.
